Kuvendi nuk zgjedh nënkryetarin nga minoriteti serb, mbyllet seanca
BKT
Foto: Elmina Osmani / RTK
Lajme

Kuvendi nuk zgjedh nënkryetarin nga minoriteti serb, mbyllet seanca

RTKlive

(E përditësuar) – Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të zgjedhë nënkryetarin nga pakica serbe. Asnjëri prej deputetëve të propozuar nuk mori shumicën e mjaftueshme të votave. Si pasojë, kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, e ka konsideruar të mbyllur seancën konstituive.

“Janë ezauruar të gjitha opsionet për zgjedhjen e nënkryetarit të pestë që vjen nga komuniteti joshumicë serb. Asnjëri nuk është zgjedhur nënkryetar ku tetë prej tyre nuk kanë marrë votat e nevojshme për nënkryetar të Kuvendit në të gjitha tentativat, ndërsa dy prej tyre kanë refuzuar që të jenë kandidatë për nënkryetar. Ne si Kuvend nuk kemi mundësi tjetër se si të vazhdojmë për sa i përket nënkryetarit që vjen nga komuniteti serb, prandaj me këtë rast konsideroj që kemi ezauruar edhe pikën e katërt të rendit të ditës të seancës konstituive dhe meqenëse se nuk ka mundësi tjetër objektive se si të procedohet tutje, konsideroj që kjo seancë konstituive konsiderohet e përmbyllur”, ka thënë ai.

(E plotësuar) As Igor Simiq nuk merr votat për nënkryetar të Kuvendit

Deputeti serb Igor Simiq nuk arriti të marrë votat për nënkryetar të Kuvendit të Kosovës. Ai mori 54 vota kundër, 22 abstenime dhe asnjë për.

(E plotësuar) Nenad Rashiq dështon të bëhet nënkryetar i Kuvendit

Nenad Rashiq ka dështuar të zgjidhet nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga komuniteti serb, pasi tri herë nuk mori votat e nevojshme. Ai mori 56 vota për, asnjë kundër dhe 21 abstenime.

(E plotësuar) Miljana Nikoliq dështon të zgjidhet nënkryetare e Kuvendit

Deputetja nga radhët e komunitetit serb, Miljana Nikoliq, nuk është votuar për postin e nënkryetares së pestë të Kuvendit. Ajo dështoi tri herë të marrë votat e nevojshme.

(E përditësuar) Nis seanca me 1 minutë heshtje për Hilmi Ramadanin

Seanca e Kuvendit nisi me një minutë heshtje për vdekjen e veprimtarit të çështjes kombëtare, Ilmi Ramadani. Tutje, kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, foli për Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, duke kërkuar ndëshkimin e përgjegjësve për këto krime.

Ai bëri thirrje shtetit serb që të përmbushë zotimet ndërkombëtare, duke treguar vendndodhjen e personave të zhdukur dhe duke hapur arkivat shtetërore në bashkëpunim me komisionin e përbashkët për personat e zhdukur, në mënyrë që të mundësohet identifikimi dhe kthimi i tyre tek familjarët.

LIVE: Vazhdon seanca konstituive për zgjedhjen e nënkryetarit serb

(E përditësuar) Deputetët kanë nisur të mblidhen sërish sot në përpjekjen e radhës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Kjo është përpjekja e 60-të.

Sot mund të jetë dita e fundit që Kuvendi voton përmes shortit për të zgjedhur nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb.

Balje: Vështirë të vazhdojmë pa një përgjigje nga Kushtetuesja

Deputetja nga komuniteti boshnjak, Duda Balje tha se nuk beson se mund të vazhdojnë tutje pa një përgjigje të Kushtetueses. Sipas saj, deputetët e kanë problem të votojnë sepse nuk janë të sigurt nëse çështja e zgjedhjes së nënkryetarit është kushtetues.

“Deri tash kemi votu në pako për komunitetet, hapi që duhet me votu veç e veç është problematike”, tha Balje.

Nait Hasani: Kërkojmë që mos ta shkelim Kushtetutën

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani, tha se votimi me short është një shkelje e Kushtetutës.

“Votimi me short është një shkelje e Kushtetutës dhe presim që të shkojmë në Gjykatën Kushtetuese për t’i vërtetuar thëniet tona. Prandaj kërkojmë që të mos ta shkelim Kushtetutën,” tha Hasani.

I pyetur për mundësinë e zgjedhjeve, Hasani tha se duhet të krijohen institucionet, dhe pastaj me marrëveshje mund të shkohet në zgjedhje të reja.

Nenad Rashiq: E treta e vërteta

Kandidati nga komuniteti serb për nënkryetar të Kuvendit, Nenad Rashiq, para seancës konstituive tha se tani është radha e tretë e kandidimit të tij për nënkryetar të Kuvendit nga komuniteti serb.

“Po, e treta herë është. E treta e vërteta, themi edhe ne”, tha Rashiq në një deklaratë të shkurtë para nisjes së seancës konstituive.

Armend Zemaj: Bllokada lidhet me formimin e Qeverisë

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, deklaroi se procesi i konstituimit të Kuvendit po zgjat më shumë se sa duhet. Sipas tij, vonesat lidhen drejtpërdrejt me formimin e Qeverisë 

“Konstituimi po zgjat përtej arsyeshmërisë. Çështja është te numrat për qeveri dhe VV-ja nuk është e interesuar deri të kalojmë në një momentum tjetër, derisa të ketë siguri që ka numra për krijimin e qeverisë. E gjithë kjo bllokadë lidhet rreth formimit të qeverisë”, tha Zemaj.

Albulena Haxhiu: Sot mund të jetë seanca e fundit

Pak para nisjes së seancës nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu deklaroi se kjo mbledhje mund të jetë e fundit. Ajo theksoi se pret votat nga AAK-ja e Nisma për votimin e kandidatit nga komuniteti serb për nënkryetar, Nenad Rashiqin.

“Sot mund të jetë seanca e fundit sepse nëse sot të gjithë hedhen në short dhe nuk ka tjetër që pret, atëherë nuk ka arsye të mblidhemi pas 48 orëve. Është e rëndësishme ta konstituojmë Kuvendit sepse kjo situatë çon në zgjedhje. ne nuk jemi të interesuar të shkojmë në zgjedhje, mendojmë se duhet të konstituohet", deklaroi ajo.

Time Kadrijaj: Nuk pritet të ketë votim për nënkryetarin e Kuvendit sot

Para fillimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, u pyet nëse pritet të votohet sot nënkryetari i Kuvendit nga radhët e pakicave serbe.

Ajo tha se nuk pret rezultate për këtë çështje. “Nuk po besoj,” deklaroi shkurt Kadrijaj.

(07:54) Vazhdon seanca konstituive për zgjedhjen e nënkryetarit serb

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës do të vazhdojë sot, duke filluar nga ora 11:00. Kjo do të jetë përpjekja e 60-të me qëllim të kompletimit të konstituimit të legjislaturës së nëntë të Kuvendit.

Seanca konstituive sot do të vazhdojë në tentimin e radhës për të zgjedhur nënkryetarin e pestë të Kuvendit, pozicion që i takon komunitetit serb të përfaqësuar në Kuvend.

Në dy seancat e fundit, atë të 26 gushtit, kur u zgjodh kryetari dhe katër nënkryetarët, dhe në seancën e 28 gushtit, dështoi zgjedhja e nënkryetarit të komunitetit serb.

Lista Serbe, si parti me 9 deputetë, ka insistuar në emrin e Slavko Simiqit për këtë pozitë. Emri i tij doli për votim tri herë, por nuk mori votat e mjaftueshme. Derisa Lista Serbe kishte të vetmin emër Slavko Simiqin, kryekuvendari Basha sqaroi se ai nuk mund të dilte më në votim bazuar në aktgjykimin e ri të Kushtetueses.

Bazuar në Rregulloren e Kuvendit të Kosovës, kryetari i Kuvendit vendosi që zgjedhja e nënkryetarit serb të bëhej përmes shortit, por as me këtë formë nuk arriti të zgjidhej ai.

Në garë për nënkryetar në dy seancat e fundit ishte edhe Nenad Rashiq, i cili e propozoi vetën për këtë post dhe emri i tij u tërhoq edhe përmes shortit, por as ai nuk arriti të merrte votat e mjaftueshme. Nenad Rashiq ka vetëm edhe një mundësi, meqë ka dështuar dy herë të marrë këtë mandat.

Një ditë më parë, presidentja Vjosa Osmani kërkoi që urgjentisht të konstituohet Kuvendi dhe të zgjidhet Qeveria. 


MË SHUME NGA Lajme