Forumi i Bledit, Rama: Anëtarësimi në BE si proces shtetndërtimi
BKT
Shqipëri

Forumi i Bledit, Rama: Anëtarësimi në BE si proces shtetndërtimi

rtsh

Qeveria shqiptare e ka pranuar “sfidën” e bërë nga Komisioni Europian për të mbyllur negociatat për anëtarësim në 2027-ën, deklaroi të hënën kryeministri shqiptar Edi Rama nga Sllovenia, ku ndodhet për Forumin Strategjik të Bledit.

Ai ishte pjesë e panelit të liderëve në diskutimin mbi sfidat e zgjerimit të BE, së bashku me Komisioneren për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos, Kryeministrin e Republikës së Kroacisë, Andrej Plenković, Kryeministrin e Sllovenisë, Robert Golob dhe Kryeministrin e Malit të Zi, Milojko Spajić.

Në fjalën e tij, kryeministri Rama tha se qeveria shqiptare e sheh afrimin me familjen europiane si kulmin e një procesi shtetndërtimi për Shqipërinë.

“Ne nuk po themi që jemi gati për 2027-ën, por falë rekordmenes sllovene të notit kemi objektiva të qarta të hedhura në tryezë nga Komisioni që na sfidojnë të realizojmë të gjitha piketat dhe të gjitha kriteret që t’i përmbyllim negociatat deri në 2027-ën. Pastaj, sigurisht, janë shtetet anëtare dhe është një pjesë tjetër e procesit.

"S’ka vend për nxitim, sepse besoj që pjesa më e rëndësishme për ne, së paku për Shqipërinë, – Mali i Zi është vend i madh, flas për Shqipërinë – është që ta përdorim procesin e anëtarësimit, si proces shtet ndërtimi, sepse Europa është bekim për vende si tonat, sepse është vendi i vetëm ku mund të marrësh dijet se si të ndërtohen institucionet. Ne nuk kemi pasur kurrë institucione më parë në kuptimin e mirëfilltë dhe ndërtimi i institucioneve është procesi më i vështirë dhe këtu është dallimi me Afganistanin, Irakun apo të tjerë, ku miqtë tanë të dashur nga ana tjetër e oqeanit kanë menduar se me bomba e vlera mund të ndryshosh një vend, por nuk është kështu. Europa është këtu të na mësojë se si të vendosim semaforët, se si të sigurojmë një qarkullim të mirë në jetën institucionale, është diçka e jashtëzakonshme".

"Ne po ecim përpara, po përparojmë, por në kuptimin e udhëheqjes, tek ne është populli shqiptar. Ne jemi absolutisht euro-optimistë, e duam Europën pa kushte, edhe pse Europa na ka bërë të vuajmë shumë. Ne kemi bindjen e plotë që një ditë do të martohemi. Më në fund i ka lënë ca nga ato kotësirat gjatë viteve “që ju duam, po nuk jemi gati të flasim me ju”, tani po flasim. Kështu që është një hap më tej, siç thotë edhe Marta. Unë them që bazohet në martesë, ajo thotë bazohet në meritë. Kështu që na duhet të meritojmë martesën dhe po punojmë për këtë,” deklaroi Rama.

Ai tha se zgjerimi do e bënte BE-në më të fortë dhe kompakte. “Pse? Sepse nuk lë një pjesë të organizmit të vet hapur, që të hyjnë mikrobet, viruset, infeksionet e kështu me radhë dhe ky është kyçi. Në qoftë se nesër gjërat shkojnë në një drejtim tjetër, kjo do të jetë një plagë e hapur në zemër të Europës, ndërkohë që në qoftë se jemi brenda, jemi thjeshtë duke mbyllur një hapësirë, një hapësirë shumë e vogël që mund të bëhet një problem i madh,” tha kryeministri i Shqipërisë.


MË SHUME NGA Shqipëri