Sot ka nisur procesi mësimor parauniversitar
Donika Sherifi /RTK
Në të gjitha institucionet publike dhe private të arsimit parauniversitar, filloi procesi mësimor 2025/2026. Nxënësit dhe mësimdhënësit e vendit sot u uruan nga krerë të shtetit dhe drejtues institucionesh të nivelit qendror dhe atij lokal. Qeveria e Kosovës edhe sivjet mbështeti nxënësit e Luginës me tekste shkollore. Në bashkëpunim me Këshillin Kombëtar Shqiptar në shkollat shqipe të Preshevës dhe Bujanocit sot u shpërndanë falas tekstet mësimore.
Ndërkohë, vazhdon edhe më tej procesi për subvencionimin me tekste shkollore dhe me material mësimor përmes platformës e-Kosova.
Ministria e Arsimit njofton se procesi i aplikimit mbetet i hapur, me qëllim që të sigurohet përfshirja e të gjithë nxënësve. Bëhet e ditur se deri më tani është realizuar mbi 70% pagesa e aplikuesve, që kap shifrën mbi 9 milionë euro.
Më entuziastët, çdo 1 shtator, janë fëmijët që për herë të parë marrin epitetin shkollar. Të emocionuar, nxënësit e klasës së parë në shkollën "Pjetër Bogdani” po presin për t`u ulur për here të parë në bankat shkollore...
Këtë 1 shtator, korridoret e shkollave u mbushën me zërat e fëmijëve që shprehin gëzimin për bashkimin me shokët e shoqet.
”Për mu dita e parë e shkollës në klasën e pestë do të thotë shumë gjëra sepse në klasën e pestë do të mësoj shumë dhe do të bëj disa aktivitete me shokët dhe shoqet e mi dhe mësuesen”, tha Ajan Osmani, nxënës .
E për mësimdhënësit, ky vit pritet të jetë përplot me sfida të reja.
"Ky vit për ne është më sfidues sepse po e fillojmë mësimin tërëditor por është mirëpritur si nga ne mësimdhënësit, nga nxënësit po ashtu edhe nga prindërit”, tha Aje Dedaj, mësimdhënëse.
Mes gumëzhimës së nxënësve, me një urim për një vit të mbarë, qëndroi edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti.
“Pikërisht te këta fëmijë ne e shohim të ardhmen e shtetit tonë se ku od të jemi në aspektin politik e institucional por edhe socio-ekonomik e kulturor, faleminderit për punën që bëni e kontributin që keni dhënë deri më tash dhe le të përgatitemi bashkë që viti shkollor 2025-2026 të jetë më i mirë se cilido para tij”, tha Kurti.
Ndërkohë larg emocioneve, këshilli i prindërve vuri në pah vështirësitë që kanë me tekstet shkollore.
“Çështja e mjeteve monetare për blerjen e teksteve shkollore shuma është e ndikume prej disa faktorëve, faktori i parë që ndikon është përzgjedhja e shtëpive botuese për arsye se librin e njëjtë për lëndën e njëjtë në klasën e njëjtë, jo të gjithë shtëpitë botuese e kanë çmimin e njëjtë por ato ndryshojnë”, tha Besnik Dragusha, kryetar i Këshillit të Prindërve të Kosovës .
Me rastin e nisjes së vitit të ri shkollor, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, duke uruar sa më pak stress për nxënësit dhe prindërit sa i përket furnizimit me tekste shkollore, ka kritikuar Ministrinë e Arsimit për mënyrën e subvencionimit për librat shkollorë.























