Shqipëri, shpërblen punonjësit e angazhuar në luftën kundër zjarreve
E.Hoti/RTKlive
Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Pirro Vengu njoftoi sot se Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim të rëndësishëm në mbështetje të forcave që kanë qenë në vijën e parë të përballjes me flakët. Në kuadër të këtij vendimi, punonjësit e angazhuar në luftën kundër zjarreve do të shpërblehen me 1 deri në 3 paga mujore.
Sipas Vengut ky shpërblim do t'u akordohet Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Policisë së Shtetit, Drejtorisë së Përgjithshme të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit si dhe Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit në bashki.
Ministri Vengu e cilësoi këtë si vlerësim për misionin e tyre fisnik dhe në shumë raste vetëmohues, në luftën e pabarabartë kundër flakëve.























