Kosova mposhtet thellë nga Zvicra
BKT
Sport

Kosova mposhtet thellë nga Zvicra

Uran Krasniqi/RTKLive

(E plotësuar, 22:40) - Kosova e ka nisur me humbje të thellë fushatën kualifikuese për Kupën e Botës 2026.

Në ndeshjen e parë, të zhvilluar në Basel, “Dardanët” janë mposhtur nga Zvicra me rezultat bindës 4-0.

Të katër golat janë shënuar në pjesën e parë.

Manuel Akanji e ka zhbllokuar ndeshjen në minutën e njëzet e dytë, ndërsa vetëm pak minuta më vonë, Breel Embolo e ka dyfishuar epërsinë pas një asistimi të saktë nga Dan Ndoye. Në minutën e tridhjetë e nëntë, Silvan Widmer ka realizuar golin e tretë, përpara se Embolo ta kompletonte dygolëshin personal në minutën e dyzet e pestë, duke vulosur rezultatin e pjesës së parë në 4-0.

Kosova nuk ia ka arritur ta gjejë reagimin e duhur as në pjesën e dytë, duke u mbyllur ndeshja me këtë rezultat.

Në ndeshjen tjetër të Grupit B, Suedia dhe Sllovenia kanë luajtur baras 2-2.

Pas kësaj xhiro, Zvicra kryeson grupin, ndërsa Kosova renditet e fundit.

Ndeshjen e ardhshme, Kosova do ta zhvillojë në Prishtinë kundër Suedisë.

Është mbyllur pjesa e parë e ndeshjes Zvicër – Kosovë me rezultat 4-0 në favor të helvetikëve.

Breel Embolo e ka shënuar golin e katërt në minutën e dyzet e pestë, duke kompletuar dygolëshin personal, pasi kishte realizuar edhe më herët në këtë pjesëlojë.

Në dispozicion të të dy skuadrave mbetet edhe pjesa e dytë. 

Pesë minuta para përfundimit të pjesës së parë, Zvicra ka thelluar epërsinë në 3-0 ndaj Kosovës.

Në minutën e tridhjetë e nëntë, Silvan Widmer ka shënuar pas një asistimi nga Fabian Rieder. Mbrojtësi zviceran është gjetur në vendin e duhur brenda zonës dhe ka realizuar me një goditje të ulët në mes të portës.

Zvicra ka shënuar golin e dytë kundër Kosovës në ndeshjen e kualifikueseve për Botërorin 2026.

Për momentin rezultati është 2-0. 

Goli i dytë ka ardhur pas një krosimi të saktë nga Dan Ndoye, ku Breel Embolo ka reaguar shpejt duke e çuar topin në rrjetë duke mos i lënë asnjë mundësi portierit kosovar.

Zvicra ka kaluar në avantazh kundër Kosovës, e vlefshme për kualifikimet e Botërorit 2026.

Golin për helvetikët e ka shënuar Manuel Akanji në minutën e njëzet e dytë, duke i dhënë epërsinë 1-0 skuadrës vendase.

Takimi po zhvillohet në Basel, ku atmosfera është e zjarrtë dhe tifozët e të dyja kombëtareve po e ndjekin me shumë interes.

Ka filluar ndeshja e shumëpritur mes Zvicrës dhe Kosovës, e vlefshme për kualifikimet e Kampionatit Botëror 2026. Ndeshja po transmetohet drejtpërdrejt në Radio Televizionin e Kosovës (RTK).

Kosova synon të marrë rezultat pozitiv ndaj një kundërshtari me shumë përvojë si Zvicra, në një grup ku gjenden edhe Suedia dhe Sllovenia. Pikërisht këto dy skuadra po përballen gjithashtu në të njëjtën kohë.

Ndeshja po zhvillohet në qytetin Basel, ku interesimi është i madh nga tifozët e të dyja palëve.

Janë bërë publike formacionet zyrtare për ndeshjen mes Zvicrës dhe Kosovës, e vlefshme për kualifikimet e Kampionatit Botëror 2026.

Zvicra: Kobel, Rodriguez, Akanji, Elvedi, Widmer, Rieder, Freuler, Xhaka, Vargas, Embolo dhe Ndoye. 

Kosova: Muric, Vojvoda, Rrahmani, Dellova, Paqarada, Avdullahu, Rexhbecaj, Muslija, Krasniqi, Muriqi dhe Jashari.