SBASHK ngrit shqetësime për mungesën e teksteve shkollore
BKT
Lajme

SBASHK ngrit shqetësime për mungesën e teksteve shkollore

V.Th / RTKLive

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës, përmes një komunikate për media njofton se Këshilli Drejtues i SBASHK-ut ka zhvilluar mbledhjen e radhës ku janë trajtuar disa çështje thelbësore që prekin arsimin dhe punëtorët arsimorë në vend.

Ndër temat më shqetësuese të diskutimit ishte mungesa e teksteve shkollore, një problem që po përsëritet edhe këtë vit shkollor dhe që, sipas përfaqësuesve të nivelit komunal, është më i theksuar në klasat VI–IX. Ata raportuan se shumë shkolla po përballen me mungesa serioze të librave për shkak të ndryshimeve në numrin e nxënësve krahasuar me vitin e kaluar, si dhe për shkak të dorëzimit të teksteve të dëmtuara dhe të papërdorshme.

 

Përveç mungesës së teksteve, SBASHK-u shprehu shqetësim të madh edhe për mosformimin e institucioneve shtetërore, përkatësisht Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës, duke theksuar se këto vonesa po ndikojnë negativisht në procesin arsimor dhe po pengojnë adresimin e kërkesave të kahershme të punëtorëve të arsimit.

 

Këshilli u shpreh se, sapo të formohet Qeveria, SBASHK-u do të kërkojë menjëherë nisjen e dialogut për trajtimin e çështjeve të mbetura pezull. Nëse institucionet nuk tregojnë gatishmëri për dialog dhe nuk ofrojnë rezultate konkrete, sindikata paralajmëron se do të nisë veprime sindikale, duke mos përjashtuar as grevën e përgjithshme.

 

Ndër vendimet e tjera të rëndësishme të marra në këtë mbledhje, ishte edhe ai për udhëheqësit e Shoqatave Sindikale që garojnë në zgjedhjet komunale të 12 tetorit. Këshilli Drejtues vendosi në mënyrë unanime që ata të dorëhiqen nga pozitat sindikale gjatë fushatës, ose në të kundërtën, ndaj tyre të ndërmerren masa për shkarkim deri në përfundim të procesit zgjedhor.

 

Në përmbyllje të mbledhjes, u diskutuan edhe tema të tjera që lidhen me organizimin dhe funksionimin e brendshëm të sindikatës.


MË SHUME NGA Lajme