Kaos në Kuvendin e Shqipërisë
RTSH
Pas kaosit në seancën e sotme plenare, në Kuvendin e Shqipërisë kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka bërë me dije 3 vendimet e marra në mbledhjen e zhvilluar prej tyre, direkt pas përfundimit të seancës.
Për mediat, Bardhi tha se ata kërkojnë përsëritjen e seancës plenare, teksa i bëri thirrje Presidentit Bajram Begaj që të mos thërrasë për betim ministrat e qeverisë Rama 4. Po ashtu, ai tha se do të nisin procedurat për mocion për shkarkimin e kreut të Kuvendit Niko Peleshin. Sipas Bardhit, Peleshi ka shkelur rregulloren e Kuvendit, teksa e akuzoi atë për lidhje me Klodian Zoton.
“Ne kërkojmë përsëritjen e seancës solemne kushtetuese parlamentare të paraqitjes së programit politik dhe përbërjes së Këshillit të Ministrave. Së dyti, i bëjmë thirrje Presidentit që të marrë praktikën parlamentare të asaj që ndodhi, për të konstatuar që votimi është antikushtetues, sepse është kryer jashtë rregullave të caktuara nga Kushtetuta dhe rregullorja e Kuvendit, dhe të mos thërrasë për betim anëtarët e propozuar të Këshillit të Ministrave pa pasur një procedurë të rregullt parlamentare.
Së treti, grupi parlamentar i PD ka vendosur nisjen e procedurave parlamentare për mocionin e shkarkimit të kryetarit të Kuvendit, për shkak se është një kukull që urdhërohet nga Edi Rama se si duhet të sillet me Kushtetutën dhe rregulloren, dhe sepse është një njeri i marrë peng nga Klodian Zoto. Ne kemi numrin e nevojshëm për të nisur mocionin për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit”, tha Bardhi.
Për situatën e krijuar gjatë seancës së sotme plenare, Bardhi tha se deputetët e opozitës u provokuan nga kryeministri. Sipas tij, sjellja e opozitës ishte në përputhje me rregulloren dhe Kushtetutën dhe se në asnjë moment nuk penguan vijimin e rendit të ditës. Sipas Bardhit, ata kontestuan atë që e konsideroi si “show i kryeministrit me video dhe lodra”, referuar mesazhit-video nga ministrja virtuale “Diella”.
“Kryeministri provokoi deputetët e opozitës, duke i trajtuar ata si nxënës në kopshtin e tij të korrupsionit, që ose do të silleshin siç vendos ai, ose ai do t’i vendoste kyçin seancës plenare. Në asnjë moment deputetët e opozitës nuk kanë penguar atë që ishte rendi i ditës: prezantimi nga kryeministri i programit politik dhe përbërjes së Këshillit të Ministrave. Ajo që kanë kontestuar, në përputhje me rregulloren, Kushtetutën dhe rregullat e etikës, ka qenë show i propagandës së kryeministrit me video, me kartonë dhe me lodra.
Salla e seancave plenare është institucioni kyç i shtetit shqiptar dhe rregullat e zhvillimit të seancave janë të detyrueshme për t’u zbatuar nga kushdo. Ai ishte një skenar i përgatitur. Edi Rama nuk do t’i diktojë kurrë sjelljen opozitës dhe nuk do t’i mbyllë kurrë gojën opozitës në Kuvendin e Shqipërisë. Duhet të respektonte Kushtetutën dhe solemnitetin e një seance që është e vetmja që rendin e ditës e ka të përcaktuar nga Kushtetuta”, u shpreh Bardhi.























