Newcastle-Barça, do të prodhojë një superndeshje, thonë analistët e RTK-së
BKT
Sport

Newcastle-Barça, do të prodhojë një superndeshje, thonë analistët e RTK-së

F.B/RTKLive

Elita e futbollit evropian rikthehet sonte me gjashtë ndeshjet e fundit të xhiros së parë në fazën e ligës të ‘Champions-it’.

Kryesfida e natës do të zhvillohet në “St. James’ Park”, ku Newcastle pret Barcelonën, takim që mund ta ndiqni drejtpërdrejt në RTK.

Analistët e RTK-së ndeshjen Newcastle-Barça e parashikojnë një duel dramatik për 90 minuta.

Mungesa e talentit të madh, Lamine Yamal, për shkak të lëndimit, shihet si një hendikep për skuadrën katalanase.

Trajneri Rafet Prekazi thekson se është sfidë e veçantë të shihet loja e Barcelonës pa Yamal.

“Si do të reagojë Barcelona pa Yamal? Po ashtu, është me interes se si Newcastle do të lexojë lojën e katalanasve në mungesë të tij. Newcastle është një skuadër që ushtron presion të lartë, ndërsa Barcelona sigurisht ka bërë përgatitjet e saj”, ka thënë Prekazi.

Edhe trajneri Muhamet Dragusha mendon se mungesa e Yamal është e madhe për Barcelonën, por sipas tij, ‘Blaugranat’ kanë alternativa cilësore.

“Po flasim për një lojtar të nivelit të lartë, një talent të madh. Por Barcelona ka lojtarë të tjerë të aftë për ta zëvendësuar. Besoj se sot Raphinha do ta kryejë punën e tij.”

Pavarësisht mungesave, pritet një përballje e madhe, ku dinamika e Premier League do të vihet përballë stilit taktik të Barcelonës.

Newcastle – Barcelona, nis nga ora 21:00.