Spiropali: Shqipëria, aktor i besueshëm në arenën ndërkombëtare
RTKLive
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, dhe ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ndodhen në Nju-Jork, ku përfaqësojnë Shqipërinë në sesionin e 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, punimet e së cilës do të zgjasin gjatë gjithë kësaj jave.
“80 vjet përkushtim për paqe, barazi dhe bashkëpunim midis kombeve,” ka shkruar Begaj në rrjetin social Facebook, duke theksuar rëndësinë e këtij përvjetori historik për OKB-në.
Nga ana e saj, ministrja Spiropali theksoi rolin e Shqipërisë në nxitjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. “New York – Gati për sesionin e 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB, ku Shqipëria sot ulet me një bilanc konkret kontributesh për avancimin e paqes, sigurisë dhe bashkëpunimit shumëpalësh, si një aktor konstruktiv, i besueshëm dhe i principtë,” ka shkruar ajo në një postim në Facebook.
Spiropali do të jetë e pranishme në hapjen e debatit të përgjithshëm të Asamblesë me mesazhin “Më mirë së bashku: 80 vite dhe më shumë për paqe, zhvillim dhe të drejtat e njeriut”. Ajo pritet të marrë pjesë në disa takime të rëndësishme shumëpalëshe dhe bilaterale, ku do të diskutohet për çështje kyçe si siguria ndërkombëtare, zhvillimi i qëndrueshëm dhe të drejtat e njeriut.
Punimet e Asamblesë, do të zgjasin deri më 27 shtator, pritet të mbajnë fjalime përfaqësuesit e 193 shteteve anëtare dhe dy vendeve me status vëzhgues – Selia e Shenjtë dhe Palestina.
Në qendër të diskutimeve të këtij sesioni janë konflikti në Gaza dhe lufta në Ukrainë.























