Dembele shpallet fitues i `Topit të Artë`
BKT
Sport

Dembele shpallet fitues i `Topit të Artë`

Uran Krasniqi / RTKLive

(E plotësuar, 22:58) - Ylli i Paris Saint-Germainit, Ousmane Dembele, është shpallur futbollisti më i mirë në botë për edicionin 2024/2025, gjatë ceremonisë së mbajtur të hënën mbrëma në Paris.

Njëzet e tetë vjeçari francez pritej të fitonte këtë trofe pas një sezoni të jashtëzakonshëm, ku e e kishte udhëhequr PSG-në drejt titullit të parë në Champions League, si dhe e kishte fituar kampionatin dhe Kupën e Francës e gjithashtu kishte arritur në finalen e Botërorit të Klubeve.

Në sezonin e kaluar, Dembele ka realizuar tridhjetë e pesë gola në në pesëdhjetë e tri paraqitje në të gjitha garat, duke dhuruar edhe gjashtëmbëdhjetë asistime. Vetëm në Champions League, ku Paris fitoi titullin, ai ka shënuar tetë gola dhe si dhe ka dhënë gjashtë asistime në pesëmbëdhjetë ndeshje.

Ky është Topi i Artë i parë për Dembele, i cili ka fituar në konkurrencë të fortë me yllin e ri të Barcelonës, Lamine Yamal. Trofeun ia ka dorëzuar superylli brazilian Ronaldinho, duke e bërë momentin edhe më të veçantë.

Aitana Bonmati e fiton "Topin e Artë" për herë të tretë rresht

Futbollistja spanjolle e Barcelonës, Aitana Bonmati, e cila luan si lideri kryesor i skuadrës katalanase, vazhdon të konfirmojë dominimin e saj në futbollin botëror të femrave dhe talentin e jashtëzakonshëm që ka shfaqur sezon pas sezoni.

Ajo është shpallur fituese e Topit të Artë, duke u njohur si futbollistja më e mirë në botë për herë të tretë rresht. 

Paris Saint-Germain dhe Arsenal shpallen klubet më të mira

Paris Saint-Germain është shpallur klubi më i mirë i vitit në ceremoninë e "Topit të Artë", falë një sezoni të jashtëzakonshëm 2025/2026 ku ka fituar titullin kampion në Francë, Champions League dhe Superkupën e Evropës.

Parisienët kanë dominuar në nivel vendas dhe kanë shkëlqyer në arenën evropiane.

Ndërkohë, Arsenali është shpallur klubi më i mirë i vitit për futbollistet, pas triumfit të tyre në Champions League për femra.

Gyokeres dhe Pajor shpallen golashënuesit më të mirë të sezonit

Sulmuesi suedez, Viktor Gyokeres, është shpallur fitues i Trofeut "Gerd Muller", çmim që i ndahet golashënuesit më të mirë të edicionit 2024/2025.

Ndërkohë, te futbollistet, çmimin e ka fituar Ewa Pajor, e cila është dalluar për paraqitjet e saj dhe numrin e lartë të golave të shënuar gjatë sezonit.

 Donnarumma dhe Hampton shpallen portierët më të mirë të sezonit

Portieri italian, Gianluigi Donnarumma, është shpallur portieri më i mirë i vitit, duke fituar "Trofeun Yashin" në ceremoninë e Topit të Artë për edicionin 2024/2025.

Donnarumma ka arritur sukses të madh me Paris Saint-Germainin, duke fituar Champions League dhe tani vazhdon karrierën e tij te Manchester City.

Ndërkohë, portierja angleze Hannah Hampton e Chelseat është shpallur portierja më e mirë e edicionit të kaluar, duke u njohur për paraqitjet e shkëlqyera dhe ndikimin e saj në skuadrën londineze.

Luis Enrique shpallet trajneri më i mirë i sezonit 2024/2025

Trajneri spanjoll, Luis Enrique, është shpallur trajneri më i mirë i edicionit 2024/2025 në futboll, duke fituar Trofeun "Johan Cruyff" në ceremoninë e "Topit të Artë".

Enrique e ka udhëhequr Paris Saint-Germainin drejt triumfit historik në Champions League, duke lënë pas konkurrencën e fortë me emra si Antonio Conte, Hansi Flick, Enzo Maresca dhe Arne Slot.

Ky çmim vjen si njohje për punën e jashtëzakonshme të Enrique në drejtimin e PSG-së dhe sukseset e arritura gjatë sezonit.

 Sarina Wiegman shpallet trajnerja më e mirë e vitit

Selektorja e Anglisë, Sarina Wiegman, është shpallur trajnerja më e mirë e vitit, duke fituar Trofeun "Johan Cruyff" në ceremoninë madhështore e "Topit të Artë".

Wiegman, e cila vjen nga Holanda, ka udhëhequr me shumë sukses Kombëtaren e Anglisë në vitet e fundit, duke u konfirmuar si një prej trajnereve më të mira në futbollin botëror.

Ky çmim vjen si shpërblim për punën, përkushtimin dhe rezultatet e arritura me vajzat angleze në arenën ndërkombëtare.

Vicky Lopez shpallet fituese e Trofeut Kopa

Mesfushorja e Barcelonës, Vicky Lopez, është shpallur fituese e Trofeut Kopa për futbollisten më të mirë të re të vitit.

Nëntëmbëdhjetë vjeçarja ka triumfuar në ceremoninë e 69-të të ndarjes së çmimeve më prestigjioze në futboll, "Topi i Artë", që po mbahet sonte në Paris.

Ky është një sukses i madh personal për Lopez, e cila po konsiderohet si një prej talenteve më premtuese në futbollin evropian.

Yamal fitues i Trofeut Kopa për herë të dytë rresht

Ylli i Barcelonës, Lamine Yamal, është shpallur fitues i Trofeut Kopa, çmim që ndahet për futbollistin më të mirë të ri në botë nën moshën njëzet e një vjeçare.

Kjo ka ndodhur në ceremoninë po mbahet në Paris ku do të shpallet fituesi i "Topit të Artë". 

Tetëmbëdhjetë vjeçari ka triumfuar në një konkurrencë të fortë me emra të tjerë premtues, duke e fituar këtë trofe për herë të dytë rresht.

Sezoni i kaluar ka qenë i jashtëzakonshëm për Yamal, i cili e ka udhëhequr Barcelonën drejt një edicioni shumë të suksesshëm.