KOMF: Fëmijët me aftësi të kufizuara të përfshihen në Programin e Kuponëve
RTKlive
Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) i është adresuar Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit me kërkesën që fëmijët me aftësi të kufizuara të përfshihen në Programin e Kuponëve.
KOMF thuhet se ka ndjekur me vëmendje hapjen e thirrjes për regjistrimin e institucioneve të edukimit në fëmijërinë e hershme në kuadër të këtij programi, i cili synon mbështetjen e familjeve përfituese nga Skema e Asistencës Sociale deri në qershor 2028.
“Organizata e mirëpret këtë nismë si një hap pozitiv për barazi sociale, por njëkohësisht shpreh shqetësimin për mos-përfshirjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara, të cilët edhe më tej përballen me barriera serioze për qasje në edukimin e hershëm”.
Sipas KOMF, fëmijët me aftësi të kufizuara kanë nivel shumë të ulët përfshirjeje në institucionet parashkollore, veçanërisht në ato private. Prindërit përballen me shpenzime të larta për pagesën e asistentëve dhe shërbimeve mbështetëse profesionale (psikologjike, logopedike, fizioterapeutike etj.), duke paguar deri në 600–700 euro në muaj.
Në këtë kuadër, KOMF thekson se përfshirja e fëmijëve me aftësi të kufizuara në Programin e Kuponëve është një obligim kushtetues dhe ligjor i Republikës së Kosovës për garantimin e të drejtave të fëmijëve pa diskriminim.
Organizata propozon që vlera e kuponëve për këtë kategori të jetë më e lartë, për të mbuluar shërbimet shtesë që u nevojiten fëmijëve.
Sipas KOMF, kjo masë do të: nxisë gjithëpërfshirjen në edukimin e hershëm; lehtësojë barrën financiare të prindërve; dhe sigurojë përmbushjen e obligimeve të Kosovës ndaj Konventës për të Drejtat e Fëmijës, të inkorporuar në Kushtetutë.























