Dibrani: SHKK do të gëzojë mbështetje të fuqishme nga ICPA-ja
V.Th / RTKLive
Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismajl Dibrani, përmes një postimi në Facebook, njofton se sot është zhvilluar një takim miqësor dhe bisedë përmbajtësore me anëtarët e bordit drejtues të ICPA-së, përfaqësues nga Portugalia dhe Bullgaria.
Dibrani ka shkruar se gjatë takimit u diskutua për zhvillimet e fundit në fushën e shërbimeve korrektuese, shkëmbimin e përvojave dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.
“Edhe një herë u konfirmua se Shërbimi Korrektues i Kosovës do të gëzojë mbështetje të fuqishme nga ICPA-ja, mbështetje kjo që do të kontribuojë në forcimin e kapaciteteve profesionale dhe avancimin e standardeve evropiane në sistemin korrektues”, ka shkruar Dibrani.
Po ashtu Dibrani, gjatë qëndrimit në Krakov të Polonisë ka zhvilluar edhe një takim të rëndësishëm me Presidentin e Komitetit Evropian për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit ose Ndëshkimit Çnjerëzor (CPT), Alan Mitchell.
Në këtë takim, Dibrani ka prezantuar arritjet e deritashme të Shërbimit Korrektues të Kosovës, duke theksuar angazhimin e institucionit për respektimin e standardeve evropiane në trajtimin e të dënuarve dhe të paraburgosurve.
Ai gjithashtu e ka ftuar Mitchell për një vizitë zyrtare në Kosovë, me qëllim që të njihet nga afër me punën dhe progresin e bërë në sistemin korrektues të vendit tonë.























