DASH:Korrupsioni, pastrimi i parave dhe informaliteti dëmtojnë konkurrencën
BKT
Shqipëri

DASH:Korrupsioni, pastrimi i parave dhe informaliteti dëmtojnë konkurrencën

RTKlive

Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar raportin mbi Klimën e Biznesit në Shqipëri për vitin 2025, duke nxjerrë në pah problematika të thella që pengojnë tërheqjen e investimeve të huaja dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Sipas raportit, Shqipëria ka potencial të madh për të tërhequr kapital të huaj në sektorë si energjia, turizmi, kujdesi shëndetësor, bujqësia, nafta, minierat dhe teknologjia e informacionit. Megjithatë, ky potencial mbetet i frenuar nga informaliteti i lartë në ekonomi, korrupsioni i përhapur dhe një klimë e pasigurt për bizneset.

“Pavarësisht stabilitetit makroekonomik dhe rritjes së qëndrueshme gjatë viteve të fundit, zhvillimi i Shqipërisë mbetet i brishtë për shkak të korrupsionit, krimit të organizuar, mungesës së fuqisë punëtore për shkak të emigracionit, produktivitetit të ulët dhe informalitetit të gjerë,” theksohet në raport.

Në dekadën e fundit, Shqipëria ka regjistruar rritje të investimeve të huaja direkte, kryesisht nga Holanda, Zvicra, Kanadaja, Italia, Turqia dhe Austria. Ndërkohë, investimet amerikane zënë një pjesë të vogël, por janë në rritje. Raporti nënvizon mungesën e një mekanizmi transparent për shqyrtimin e investimeve të huaja, gjë që rrit pasigurinë e investitorëve.

Edhe pse rezultati i Shqipërisë në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International është përmirësuar nga 37 në 42 pikë në vitin 2024, vendi vijon të perceptohet si një terren i vështirë për biznes. Investitorët e huaj identifikojnë si pengesa kryesore: korrupsionin në sektorin publik, gjyqësor dhe në prokurimet publike, konkurrencën e shtrembëruar, pastrimin e parave, ndryshimet e shpeshta në legjislacionin fiskal, si dhe problemet me të drejtat e pronës dhe zbatimin e kontratave.

Një prej sfidave më të mëdha mbetet çështja e pronësisë. Raporti thekson se procesi i kthimit dhe kompensimit, i nisur që prej vitit 1993, është i ngadaltë dhe i prekur nga korrupsioni, duke prodhuar mosmarrëveshje të gjata që shpesh përfundojnë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Edhe pas vendimeve të kësaj gjykate, zbatimi në Shqipëri mbetet problematik.

DASH vlerëson se kuadri ligjor kundër korrupsionit ekziston, por zbatimi i tij është i mangët. Korrupsioni i vazhdueshëm në gjyqësor, qeveri, prokurimet publike dhe media minon sundimin e ligjit dhe pengon zhvillimin ekonomik. Sipas raportit, edhe pse Shqipëria ka shënuar përparime në konfiskimin e aseteve të paligjshme, nevojitet forcim i mëtejshëm i institucioneve kundër korrupsionit dhe një rekord i qëndrueshëm dënimesh për zyrtarë të lartë të përfshirë në afera korruptive.

Raporti përfundon se vetëm një klimë më transparente dhe konkurruese, e mbështetur nga sundimi i ligjit, do të mundësonte që Shqipëria të shfrytëzojë potencialin e saj dhe të rrisë besimin e investitorëve të huaj.


MË SHUME NGA Shqipëri