Nesër protestohet për lirimin e ish-policit Spahiu që po mbahet në Serbi
BKT
Lajme

Nesër protestohet për lirimin e ish-policit Spahiu që po mbahet në Serbi

V.S|RTKlive

Familja e ish-policit të Njësisë Speciale të Kosovës, Arbor Spahiu i cili po vazhdon të mbahet në paraburgim në Serbi ka thirrur protestë paqësore për nesër nga ora 12:00 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Sipas familjarëve, protesta ka për qëllim t’u bëjë thirrje institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare që të ngritin zërin kundër padrejtësisë me të cilën, siç thonë ata, po përballet ish-polici Spahiu si dhe familja e tij.

“Në emër të familjes Spahiu ju njoftojmë se nesër, më 30 shtator 2025, nga ora 12:00, do të organizohet një protestë paqësore në mbështetje të ish-policit Arbnor Spahiu, i cili po mbahet padrejtësisht në paraburgim në Serbi. E martë, 30 shtator 2025. Ora 12:00. Sheshi “Skënderbeu”. Kjo protestë ka për qëllim t’u bëjë thirrje institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare që të ngrisin zërin kundër padrejtësisë me të cilën Arbnori dhe familja e tij po përballen tash e katër muaj”, thuhet në thirrjen e familjarëve për këtë protestë.

Ish-polici Spahiu ishte arrestuar më 7 qershor në pikën kufitare nga Hungaria në Serbi gjatë kthimit të tij nga Austria me autobus.

Serbia e akuzon ish-policin e Kosovës për kryerjen e veprës penale “vrasje e rëndë”, që sipas tyre, dyshohet se e ka kryer në Banjskë në shtatorin e vitit 2023.

Më 24 shtator të vitit 2023 një grup terroristësh serbë në krye me kryekriminelin Milan Radoiçiq kishin sulmuar Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, në mëngjesin e së cilës datë mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku derisa u plagos polici, Alban Rashiti dhe u lëndua një tjetër.

Nga përleshja me armë mes Policisë së Kosovës të cilët po mbronin sovranitetin e integritetin territorial e grupit të terroristëve serb kishin mbetur të vrarë edhe tre serb të atij grupi.

Policia kishte thënë se Spahiu nuk ishte pjesë e radhëve të tyre qysh nga vitit 2022, kur thanë se kishte dhënë dorëheqje vullnetare nga ky institucion i sigurisë.

Avokati i tij, Arianit Koci kishte thënë se Spahiu prej tre vjetësh jetonte në Gjermani dhe se provat që do të dëshmojnë pafajësinë e tij.

Krerë institucional të Kosovës e kishin quajtur arrestimin e ish-policit Spahiu si veprim arbitrar e shovinist të Serbisë.

 


MË SHUME NGA Lajme