Raporti i DASH: Rriten përpjekjet, por mbeten sfida serioze
Sh.Ç|RTKlive
Kosova është renditur në Nivelin e dytë të raportit të fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit për Trafikimin e Qenieve Njerëzore. Në këtë kategori hyjnë shtetet, qeveritë e të cilave kanë bërë përpjekje të konsiderueshme për ta luftuar trafikimin me njerëz, por që ende nuk kanë arritur të përmbushin plotësisht standardet minimale ndërkombëtare.
Raporti thekson se gjatë vitit 2024, autoritetet rritën numrin e rasteve të ndjekura penalisht dhe identifikuan më shumë viktima, duke shtuar gjithashtu financimin për ndihmë dhe strehim për viktimat. Një rritje u shënua edhe në fondin për kompensimin e viktimave, i cili këtë vit përfshiu më shumë përfitues.
“Megjithatë, pavarësisht këtyre hapave, problemet kryesore mbeten serioze. Numri i trafikantëve të dënuar ra ndjeshëm, ndërsa gjykatat shpallën të pafajshëm shumicën e të dyshuarve. Në rastet kur u dhanë dënime, ato ishin nën minimumin ligjor të parashikuar. Rasti më i theksuar ishte ai i një trafikanti seksual që u dënua me vetëm tetë muaj burgim, ndonëse ligji parashikon të paktën pesë vjet për këtë vepër. Po ashtu, trafikimi i fëmijëve përmes lypjes së detyruar vazhdon të trajtohet nga autoritetet si neglizhencë prindërore dhe jo si trafikim, duke lënë kështu të pambrojtur një kategori të ndjeshme viktimash dhe duke rrezikuar penalizimin e tyre për veprime që janë rezultat i drejtpërdrejtë i trafikimit,” thuhet në raport.
Departamenti i Shtetit i SHBA-së (DASH), në raportin e tij, thekson se gjatë vitit 2024, Policia e Kosovës hapi pesë raste të reja për trafikim – dy për trafikim seksual dhe tre për punë të detyruar – krahasuar me gjashtë raste të reja në vitin paraprak.
“Autoritetet filluan ndjekje penale në 17 raste ndaj 49 të dyshuarve, një rritje e ndjeshme krahasuar me vitin e kaluar. Megjithatë, vetëm një person u dënua për trafikim seksual, dhe 17 të dyshuar të tjerë u shpallën të pafajshëm. Ekspertët vlerësojnë se mungesa e përvojës dhe trajnimit adekuat për prokurorët dhe gjyqtarët, sidomos për rastet që përfshijnë kontroll emocional apo shfrytëzim psikologjik, ndikon në dhënien e dënimeve të dobëta ose në rikualifikimin e rasteve në vepra më të lehta penale,” theksohet në raport.
Në fushën e mbrojtjes, janë identifikuar 14 viktima, përfshirë gra, burra dhe fëmijë, ku gjysma e tyre ishin të huaj.
“Tri strehimore – një shtetërore për viktimat me rrezik të lartë dhe dy të OJQ-ve për rastet me rrezik më të ulët – ofruan shërbime për gjithsej 36 viktima. Ndihmat përfshinin strehim, përkujdesje psikologjike, arsim, trajnime profesionale dhe mbështetje për riintegrim. Megjithatë, kapacitetet e Qendrave për Punë Sociale mbetën të kufizuara dhe të pamjaftueshme për të përballuar nevojat në rritje, ndërsa programet për riintegrimin e viktimave dështuan të japin rezultate të qëndrueshme për shkak të mungesës së burimeve dhe të vendeve të punës. Ligji u jep viktimave të drejtën për kompensim dhe ndihmë juridike,” thekson raporti.
Sipas raportit, gjatë vitit 2024, fondi shtetëror i kompensimit ofroi ndihmë për katër viktima në vlerë totale prej 8,000 eurosh. Ndërkohë, dy viktima dëshmuan përmes video-incizimeve, dhe gjithsej 14 morën pjesë në hetime dhe procese gjyqësore. Mbrojtja e viktimave gjatë procedurave mbetet një sfidë, sidomos kur të dyshuarit janë ende në liri.
“Në aspektin e parandalimit, përpjekjet e qeverisë ishin të kufizuara. Janë mbajtur takime të rregullta të autoriteteve kombëtare kundër trafikimit dhe janë zhvilluar disa fushata vetëdijësuese, por fondet për këto aktivitete u ulën ndjeshëm në krahasim me vitin e kaluar. Linja e ndihmës për viktimat mori 10 thirrje të lidhura me trafikimin, por vetëm një rast u referua për hetim. Operatorët e kësaj linje, sipas vëzhguesve, nuk kanë aftësinë e duhur për të përballuar raste të ndërlikuara si trafikimi i fëmijëve për lypje,” thuhet në raport.
Raporti vë në pah se trafikimi në Kosovë prek të gjitha komunitetet.
“Viktimat më të rrezikuara janë gratë dhe vajzat që rekrutohen me premtime të rreme për punësim apo martesë, por më pas detyrohen të punojnë në klube nate, banesa private apo qendra masazhi. Fëmijët, sidomos ata nga komunitetet rome, ashkali dhe egjiptiane, shpesh trafikohen nga prindërit apo të afërmit për qëllime të lypjes së detyruar apo shfrytëzimit seksual. Viktimat e huaja të identifikuara në Kosovë gjatë vitit 2024 vinin nga Shqipëria, Kolumbia, Meksika, Tajlanda dhe Venezuela. Njëkohësisht, qytetarët e Kosovës janë viktima të trafikimit për qëllime seksuale dhe punë të detyruar në vende të ndryshme të Evropës,” thekson raporti i DASH-it.
Në këtë raport thuhet se grupet më të rrezikuara përfshijnë minoritetet etnike, komunitetin LGB, migrantët dhe azilkërkuesit.
“Në mungesë të masave të qëndrueshme dhe bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional, shumë viktima vazhdojnë të mos identifikohen apo të mos marrin ndihmën që u takon me ligj. Qeveria e Kosovës, pavarësisht disa përmirësimeve, duhet të ndërmarrë hapa më të vendosur dhe të fokusohet në ndjekjen penale të trafikantëve, rritjen e ndihmës për viktimat dhe forcimin e sistemit të drejtësisë për të trajtuar trafikimin si krim të rëndë dhe jo si çështje anësore,” thuhet në raportin e DASH-it.























