Flick lavdëron Rashford para ndeshjes me PSG
BKT
Sport

Flick lavdëron Rashford para ndeshjes me PSG

Uran Krasniqi/RTKLive

Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka folur me fjalë të mëdha për Marcus Rashford, i cili pritet të jetë titullar në ndeshjen e Chmapions League kundër Paris Saint Germain.

Rashford, që është i huazuar nga Manchester United, ka fituar besimin e trajnerit gjerman pas paraqitjes së jashtëzakonshme kundër Newcastle, ku shënoi dy gola në fitoren debutuese të Barçës në Champions League.

“Çdokush e ka parë në ndeshjet e fundit. Ajo që bëri në Newcastle i ka dhënë shumë vetëbesim. Tashmë ai ka arritur në Barcelonë”, ka thënë Flick. “Nuk është gjithmonë e lehtë të përshtatesh në La Liga, por ai e ka bërë këtë shumë mirë”.

Barça do të përballet me PSG-në të cilës do t'i mungojnë me disa yje kryesorë, përfshirë ish-lojtarin e katalanasve, Ousmane Dembele, si dhe Desire Doue e Khvicha Kvaratskhelia.

Mesfushori Pedri ka folur me besim të madh para sfidës, duke e konsideruar Barcelonën favorite.
“PSG është një nga ekipet më të mira në botë, por ne jemi më të mirët, të paktën ashtu siç e shoh unë”, ka deklaruar ai.

Dy skuadrat janë ndeshur në çerekfinalen e vitit 2024, ku PSG eliminoi Barçën pas fitores 4-1 në “Camp Nou” dhe kaloi tutje me rezultat të përgjithshëm 6-4.

Pedri e ka kujtuar atë duel me shpresën për hakmarrje.

“Çdo tifoz i Barcelonës e di që atëherë ishim afër kualifikimit. Në futboll gjithmonë ka vend për hakmarrje dhe këtë duam, kjo është lloji i lojës që shijohet më së shumti”, ka thënë ai.