Baftiu shpallet ‘Ylli i Javës’
F.B/RTKLive
Federata e Futbollit e Kosovës, në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Superligës, Albi Mall, ka vazhduar ndarjen e çmimit tradicional “Ylli i Javës”, që i dedikohet futbollistit më të dalluar të javës në elitën e futbollit kosovar.
Për javën e tetë të këtij edicioni, ky vlerësim i është ndarë futbollistit të FC Prishtina, Blendi Baftiu, i cili ishte vendimtar në fitoren e skuadrës së tij ndaj rivalit direkt për kreun e tabelës, FC Ballkani.
Baftiu shënoi golin e vetëm të ndeshjes që përfundoi me rezultat 1 me 0 në favor të Prishtinës.
Vlerësimi për “Yllin e Javës” është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit pranë FFK-së.
Pas marrjes së çmimit, Baftiu u shpreh i lumtur për këtë vlerësim, duke theksuar se suksesi është rezultat i punës së ekipit dhe mbështetjes së tifozëve “Plisat”.
“Kemi pasur një start shumë të mirë si me ekipin, ashtu edhe në aspektin personal. Ndeshja ndaj Ballkanit ishte e veçantë dhe më vjen mirë që me golin tim i sollëm tri pikë skuadrës. Këtë çmim ia dedikoj bashkëlojtarëve dhe tifozëve tanë që janë gjithmonë pranë nesh”, ka deklaruar Baftiu për faqen zyrtare të FFK-së.
Sulmuesi i Prishtinës “shtoi se atmosfera në ekip është shumë pozitive dhe se synimi i klubit mbetet fitimi i titullit kampion”.























