Analistët: Seanca e Kuvendit duhet të thirret brenda 48 orëve
Ardiana Hajzeri / RTK-Radio
Gjykata Kushtetuese ka publikuar aktgjykimin e plotë duke bërë kështu që të nisë rrjedha e afatit të mbetur prej 12 ditësh për konstituimin e Kuvendit.
Gzim Shala, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, i tha Radio Kosovës së Gjykata Kushtetuese ka sqaruar shumë mirë se asnjë komunitet jo shumicë në vend nuk mund të jetë bllokues i institucioneve dhe se Kuvendi, mund të konsiderohet i konstituuar nëse deputetët e komunitetit serb nuk i zbatojnë procedurat e parapara nga ky aktgjykim. Ai shtoi se brenda 48 orëve duhet të thirret seanca e radhës.
“Gjykata Kushtetuese e ka lejuar mekanizmin de-bllokues për të kaluar edhe në short nëse është nevoja. Nëse edhe shorti dështon, atëherë në këtë situatë ka thënë se Kuvendi i Republikës së Kosovës mund të konstituohet edhe pa u zgjedhur edhe nënkryetari i pestë. Mirëpo, nëse kjo e drejtë, thënë më ndryshe, keqpërdoret nga ky komunitet, konstituimi i Kuvendit nuk mund të mbahet peng i një nënkryetari, dhe Kuvendi mund të funksionojë tutje pa këtë nënkryetar vetëm nëse shtirren këto procedurat drejt zgjidhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb. Në bazë të rregullores së Kuvendit, pra brenda 48 orëve, duhet të caktohet seanca e radhës”, ka thënë Shala.
Ndërkaq, njohësi i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, i tha Radio Kosovës së tani pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese i cili është shumë i qartë, të gjitha partitë politike në vend duhet të respektojnë Kushtetutën në mënyrë që të konstituohen institucionet e vendit.
“Të gjitha partitë politike duhet ta tejkalojnë veten, ta bëjnë të pamundurën për t’u zgjedhur nënkryetari nga pakica serbe sepse pa këtë hap, nuk mund të ketë as konstituim të Kuvendit, e as shpresë për themelim të Qeverisë. Pra, ta bëjnë atë që e thotë Kushtetuta”, ka thënë Muhaxhiri.
Edhe në këtë aktgjykim, Gjykata Kushtetues ua ka rikujtuar deputetëve obligimin për të marrë pjesë në seancë dhe për të votuar, qoftë “pro”, “kundër” apo duke “abstenuar”.
Më 28 gusht, kryeparlamentari Dimal Basha shpalli të konstituuar Kuvendin pavarësisht moszgjidhjes së një deputeti serb për nënkryetar. Më pas Lista Serbe u ankua në Kushtetuese për shkak të ndarjes së procesit të votimit prej pakos për zgjedhjen e nënkryetarëve të komuniteteve të tjera jo shumicë.























