Konstituohet Kuvendi i Republikës së Kosovës, Rashiqi zgjidhet nënkryetar
BKT
Foto / RTK
Në Fokus

Konstituohet Kuvendi i Republikës së Kosovës, Rashiqi zgjidhet nënkryetar

A.B & M.M| RTKlive

(E përditësuar, ora 12:00) Me 71 vota për Nenad Rashiq është zgjedhur nënkryetar i Kuvendit nga radhët e komunitetit serb. Për Rashiqin kanë votuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosjes dhe disa deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës kanë abstenuar. Me votimin e sotëm është konstituar Kuvendi i Kosovës.

LIVE: Vazhdimi i seancës konstituive

(E përditësuar, ora 11:52) Pas votimeve për nëntë kandidatët nga Lista Serbe për pozitën e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, ku asnjëri prej tyre nuk mori besimin e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, tha se nuk ka nevojë të hidhet shorti, pasi ka mbetur vetëm një kandidat për votim nga komuniteti serb, Nenad Rashiq.

Deputeti serb, Nenad Rashiq, është futur si kandidat për nënkryetar të Kuvendit pa propozim direkt nga përfaqësuesi i komitetit serb.Lista Serbe ka refuzuar ta propozojë si kandidat serb pasi ka shfrytëzuar emrat e deputetëve të grupit të vet. Kryeparlamentari Dimal Basha ka thënë se sipas procedurave dhe rregullores Rashiqi do të votohet.

Deputeti Igor Simiq nuk i merr votat për nënkryetar të Kuvendit

(E plotësuar, ora 11:43) Në seancën konstituive të sotme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Lista Serbe propozoi deputetin e saj, Igor Simiq, për postin e nënkryetarit të Kuvendit. Megjithatë, edhe pas tri raundeve të votimit, ai nuk arriti të sigurojë votat e nevojshme për t’u zgjedhur nënkryetar i Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.

Deputeti Srdjan Popoviq nuk i merr votat për nënkryetar të Kuvendit

(E plotësuar, ora 11:37) Në seancën konstituive të sotme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Lista Serbe propozoi deputetin e saj, Srdjan Popoviq, për postin e nënkryetarit të Kuvendit. Megjithatë, edhe pas tri raundeve të votimit, ai nuk arriti të sigurojë votat e nevojshme për t’u zgjedhur nënkryetar i Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.

Deputeti Stefan Kovaçeviq nuk i merr votat për nënkryetar të Kuvendit

(E plotësuar, ora 11:31) Në seancën konstituive të sotme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Lista Serbe propozoi deputetin e saj, Stefan Kovaçeviq, për postin e nënkryetarit të Kuvendit. Megjithatë, edhe pas tri raundeve të votimit, ai nuk arriti të sigurojë votat e nevojshme për t’u zgjedhur nënkryetar i Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.

Deputeti Branislav Nikoliq nuk i merr votat për nënkryetar të Kuvendit

(E plotësuar, ora 11:25) Në seancën konstituive të sotme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Lista Serbe propozoi deputetin e saj, Branislav Nikoliq, për postin e nënkryetarit të Kuvendit. Megjithatë, edhe pas tri raundeve të votimit, ai nuk arriti të sigurojë votat e nevojshme për t’u zgjedhur nënkryetar i Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.

Deputetja Miljana Nikoliq nuk i merr votat për nënkryetare të Kuvendit

(E plotësuar, ora 11:19) Në seancën e sotme konstituive të Republikës së Kosovës, Lista Serbe propozoi deputeten e saj, Miljana Nikoliq, për postin e nënkryetares të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Megjithatë, edhe pas tri raundeve të votimit, ajo nuk arriti të sigurojë votat e nevojshme për t’u zgjedhur nënkryetare e Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.

Deputetja Verica Çeraniq nuk i merr votat për nënkryetare të Kuvendit

(E plotësuar, ora 11:13) Në seancën e sotme konstituive të Republikës së Kosovës, Lista Serbe propozoi deputeten e saj, Verica Çeraniq, për postin e nënkryetares të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Megjithatë, edhe pas tri raundeve të votimit, ajo nuk arriti të sigurojë votat e nevojshme për t’u zgjedhur nënkryetare e Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.

Deputetja Ljiljana Stefanoviq nuk i merr votat për nënkryetare të Kuvendit

(E plotësuar, ora 11:08) Në seancën e sotme konstituive të Republikës së Kosovës, Lista Serbe propozoi deputeten e saj, Ljiljana Stefanoviq, për postin e nënkryetares të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Megjithatë, edhe pas tri raundeve të votimit, ajo nuk arriti të sigurojë votat e nevojshme për t’u zgjedhur nënkryetare e Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.

Deputeti Zlatan Elek nuk i merr votat për nënkryetar të Kuvendit

(E plotësuar, ora 11:00) Lista Serbe propozoi deputetin e saj, Zlatan Elek, për postin e nënkryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Megjithatë, edhe pas tri raundeve të votimit, ai nuk arriti të sigurojë votat e nevojshme për t’u zgjedhur nënkryetar i Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.

Slavko Simiq nuk i merr votat për nënkryetar të Kuvendit

(E plotësuar, ora 10:52) Lista Serbe propozoi deputetin e saj, Slavko Simiq, për nënkryetar të Kuvendit të Republikës së Kosovës, por ai edhe pas tri votimeve nga deputetët nuk i mori votat e mjaftueshme për të qenë nënkryetar i kuvendit nga radhët e komunitetit serb.

Basha fton deputetët e komunitetin serb të bëjnë propozimin për kandidatin e tyre për nënkryetar të Kuvendit

Dimal Basha, kryetari i Kuvendit të Kosovës, në seancën e sotme, ku për rend dite është zgjedhje e një nënkryetari të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, tha se bazuar në aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese është konstatuar se seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, e filluar më 15 prill, nuk ka përfunduar si rezultat i mos zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit serb.

Basha, tutje, ka ftuar deputetët e komunitetin serb të bëjnë propozimin për kandidatin e tyre për nënkryetar të Kuvendit.

(E plotësuar, ora 10:50) Po mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës

LIVE|Seanca e Kuvendit, në rend dite zgjedhja e nënkryetarit nga serbët

(E plotësuar, ora 10:30) Kuvendi i Kosovës vazhdon seancën konstituive. Në rend të ditës është zgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit nga radha e komunitetit serb.

Rexhepi: Jam nënkryetare legjitime e Kuvendit të Kosovës

Emilija Rexhepi, nënkryetare e Kuvendit të Kosovës, tha se për të Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se është nënkryetare legjitime e Kuvendit të Kosovës.

“Në seancën e sotme do të vendoset nga deputetët e Kuvendit nëse do të votohet për nënkryetarin e  Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunistit serb”, tha Rexhepi.

Në pyetjen se a do të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme,  Rexhepi u përgjigj se pasnesër do të mbahen zgjedhjet e rregullta, duke nënkuptuar në zgjedhjet lokale, teksa shtoi se pastaj do të shikohet se si do të jetë situata paszgjedhore.

Konjufca: VV nuk ka kurrfarë vote për Listën Serbe

Deputeti i VV-së, Glauk Konjufca, ka deklaruar se pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese është qartësuar se askush nuk ka të drejtë vetoje në konstituimin e Kuvendit,

Ai tha se të gjithë deputetët duhet të jenë të pranishëm dhe se Vetëvendosje nuk ka votuar asnjëherë për kandidatët e Listës Serbe. Konjufca shtoi se Dimal Basha, i zgjedhur kryetar i Kuvendit, ka legjitimitet dhe do ta udhëheqë mirëinstitucionin.

Bajrami: Presim marrëveshje politike për konstituim të Kuvendit

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, tha se presin marrëveshje politike për konstituim të Kuvendit.

Bajrami tha se me 20 vota të LDK nuk konstituohet Kuvendi i Kosovës. “Ne para jush ftojmë dhe presim nga partia e parë që të thërrasë partitë shqiptare parlamentare për konsultim dhe marrëveshje politike për konstituim e Kuvendit”, tha Bajrami.

Ajo tha se respektojmë vendimin e Gjykatën Kushtetuese, por duhet marrëveshje politike për konstituimin e Kuvendit.

Rashiq shprehet optimist se partitë shqiptare do ta votojnë

Nenad Rashiq, kryetar i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, tha se është politikan i  përgjegjshëm, derisa shtoi se nëse e votojnë atë, ai do ta marrë detyrën në formën e përgjegjësisë që ka në Kuvend.

Nuk di se si do të shkojë procesi. Me siguri LS do të kandidojë me një ose më shumë kandidat, por nëse i shpenzojnë të gjithë kandidatë që kanë, atëherë nëse vjen radha ime unë do të kandidojë.

Lidhur me mundësinë e votimit të tij nga partitë tjera shqiptare, Rashiqi tha se nuk ka parë ndonjë ndryshim në qasje, derisa kujtoi se në seancën e kaluar kushtet kanë qenë të pjekura për votimin e tij, por që , siç u shpreh ai, votimi nuk ka ndodhur. Ai u shpreh optimist që partitë shqiptare mund ta votojnë atë.

Krasniqi: Unë votoj për Nenad Rashiqin.

Deputeti nga radhët e Iniciativës së Re Demokratike të Kosovës(IRDK), Elbert Krasniqi para se të fillojë vazhdimi i seancës konstitutive të Kuvendit ka thënë se ishin në të drejtën e tyre që votimi për nënkryetar të jetë i ndarë.

“Sot është me rëndësi që po kthemi në Kuvend dhe e kemi te qartë se ishim në të drejtën tonë kur kërkuan që votimi për nënkryetarin nga komunitet jo-shumicë serbe të jetë i ndarë nga ai nga komuniteti serb tash ka mbet zgjedhja e një nënkryetari serb. Duhet të plotësohen disa kushte që të zgjidhet nënkryetari serb njëra nga kushtet është të ketë 61 vota.  Unë votoj për Nenad Rashiqin.

Kadrijaj: Situatën duhet ta zhbllokojnë “ata që e kanë bllokuar”.

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka thënë se kjo parti nuk do të votojë për asnjë kandidat për nënkryetar të Kuvendit nga pakicat serbe. Sipas saj, situatën duhet ta zhbllokojnë “ata që e kanë bllokuar”.

“Nuk do të votojmë asnjë, thashë ata që e kanë bllokuar këtë situatë le ta zhbllokojnë. Ne kemi dashur t’i japim epilog, kemi ardhur deri këtu. Asnjëherë zgjedhja e nënkryetarëve nuk është politizuar në këtë formë”, ka deklaruar Kadrijaj.

Hasani: Është një vendim i Gjykatës që ka dalë për afatet kohore, për 12 ditë.

Deputeti i PDK-së, Nait Hasani, beson që me një marrëveshje do t’ia dalin.

 “Është një vendim i Gjykatës që ka dalë për afatet kohore, për 12 ditë. Sot do të kemi një mbledhje të grupit, sigurisht do të dalim me një qëndrim. E shoh si jo të drejtë daljen e gjykimit dy ditë para zgjedhjeve, që do t’i vë të gjitha partitë politike nën presion. Besoj që me një marrëveshje do t’ia dalim, nëse jo të hënën, të martën po”, tha ai. I pyetur nëse do ta votojë ndonjë kandidat nga Lista Serbe, ai tha se “Ata që e duan shtetin e Kosovës, e mbrojnë shtetin e Kosovës, kanë luftuar për shtetin e Kosovës, duhet ta votojnë dhe duhet ta ndërtojnë shtetin”.

Sot mblidhet Kuvendi, në rend dite zgjedhja e nënkryetarit nga serbët

Kuvendi i Kosovës sot do të vazhdojë seancën konstituive.  Në rend të ditës është zgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit nga radha e komunitetit serb.

Ndryshe Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës shpalli aktgjykimin e plotë me të cilin ka konstatuar se Seanca Konstituive e Kuvendit të Kosovës, e filluar më 15 prill 2025, nuk ka përfunduar si rezultat i moszgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.

Në vendimin e publikuar, Gjykata thekson se Kuvendi nuk është konstituuar në pajtim me nenin 66 dhe nenin 67 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të cilat përcaktojnë zgjedhjen dhe mandatin e Kryetarit dhe Nënkryetarëve të Kuvendit.

Gjykata ka urdhëruar që Seanca Konstituive të përfundojë brenda 12 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij aktgjykimi, në përputhje me afatin kushtetues dhe me aktgjykimet e mëhershme në rastet KO193/25 dhe KO196/25.

Po ashtu, Gjykata ka kërkuar nga të gjithë deputetët e Kuvendit që gjatë procesit të zgjedhjes së nënkryetarit nga komuniteti serb të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues “në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës” dhe në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.


MË SHUME NGA Në Fokus