‘Kosova ka ekip më të mirë, duhet të fitojmë ndaj Sllovenisë’
F.B/RTKLive
Kombëtarja e Kosovës do të luajë sonte ndaj Sllovenisë në stadiumin “Fadil Vokrri”, në një përballje të rëndësishme për kualifikimet e Kupës së Botës 2026.
Ndeshja nis në orën 20:45 dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në RTK.
Pas fitores ndaj Suedisë në shtator, Dardanët synojnë pikët e plota edhe ndaj Sllovenisë për të bërë një hap të madh drejt në garën për kualifikim në Botërorin 2026.
Analistët e RTK-së, Malsor Gjonbalaj dhe Kushtrim Mushica, në emisionin “Dardanët”, e konsiderojnë këtë ndeshje të vështirë, por të favorshme për Kosovën.
Trajneri Gjonbalaj theksoi se, pavarësisht rezultateve jo të mira të Sllovenisë në dy ndeshjet e fundit, ajo mbetet një skuadër e fortë. Sipas tij, Kosova ka ekip më të mirë dhe duhet të fitojë.
“Të dy ndeshjet Sllovenia nuk ia ka kaluar dobët. Në aspektin taktik, është një skuadër e mirë. Por përparësi për ne është se Rashica e Zhegova nuk do të jenë startues, dhe pjesa e dytë mund të jetë vendimtare dhe inkuadrimi i tyre do të ndikonte pozitivisht në lojën skuadrës sonë. Jemi në superioritet me ekipin tonë dhe duhet të dominojmë ndeshjen”, tha Gjonbalaj.
Ai shtoi se formacioni do të ngjajë me atë të përdorur kundër Suedisë, duke synuar kundërsulme të shpejta. Sipas Gjonabalajt droja është tek reparti i mbrojtjes.
Ndërkaq, ish-portieri i njohur, Kushtrim Mushica, foli për duelimin e portierëve Aro Muriç dhe Jan Oblak, duke shpresuar se Vedat Muriqi do të shënojë dhe t’i sigurojë Kosovës tri pikët.
“Portierët janë vendimtarë në ndeshje me peshë të madhe. Muric po hyn në formën më të mirë, ndërsa Oblak është cilësor. Shpresojmë që Muriqi të jetë në formën e tij më të mirë, si ndaj Suedisë, dhe të sigurojmë tri pikë ndaj Sllovenisë.”
Ndeshja Kosovë-Slloveni nis në orën 20:45.























