Gucati për protestën në Tiranë: Kemi marrë mbështetje të madhe
V.Th / RTKLive
Protesta e paralajmëruar për 17 tetor në ora 17:00, në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, ka marr mbështetje të gjerë nga institucionet, partitë politike dhe qytetarët shqiptarë nga të gjitha trevat.
Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, në një konferencë për media të mbajtur sot, konfirmoi pjesëmarrjen e shumë figurave të rëndësishme dhe përkrahjen e fuqishme që protesta ka marrë ditët e fundit.
“Protesta nuk është kundër gjykatës apo drejtësisë, por kundër padrejtësisë që po ndodh tash e pesë vite në Hagë. Kemi përkrahje të madhe nga qytetarët e Shqipërisë, nga qeveria, institucionet dhe partitë politike shqiptare,” deklaroi Gucati.
Ai tha se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka mbështetur publikisht protestën, ndërsa Taulant Balla, shef i grupit parlamentar të PS-së, dhe mbi 15 organizata nga Shqipëria kanë dalë hapur në përkrahje. Po ashtu, pesë rektorë universitetesh janë bashkuar me thirrjen për pjesëmarrje.
Mbështetje e fuqishme po vjen edhe nga Kosova. Sipas Gucatit, PDK, AAK, kryetari i Prishtinës Përparim Rama, si dhe një pjesë e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, janë rreshtuar në krah të organizimit.
Në protestë pritet të marrin fjalën ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, lideri shqiptar në Maqedoni Ali Ahmeti, si dhe vetë Gucati si organizator dhe familjar i një dëshmori nga Shqipëria. Pjesëmarrjen e ka konfirmuar edhe kryeministri Rama, ndërsa tifozët “Kuq e Zi” kanë bërë të ditur përfshirjen e tyre.
Për transportin e pjesëmarrësve nga Kosova janë konfirmuar rreth 60 autobusë, të siguruar nga komunat në bashkëpunim me tri shoqatat e invalidëve, dëshmorëve dhe veteranëve të luftës. Udhëtimi do të bëhet të premten, me nisje nga ora 09:00 ose 10:00, nga qytete të ndryshme të Kosovës.
“Pa mbështetjen e qytetarëve shqiptarë, nuk do të kishim mundur të vepronim as në luftë, as sot në paqe. UÇK-ja u formua në Tiranë në vitet ’90 dhe ne po kthehemi aty për të treguar se rrjedh nga populli,” theksoi Gucati.
Ai gjithashtu falënderoi mediat, sidomos ato në Kosovë, për mbështetjen në organizimin dhe promovimin e protestës. Sipas tij, të gjitha institucionet relevante në Shqipëri dhe Kosovë janë lajmëruar zyrtarisht dhe janë ftuar të marrin pjesë.























