Autobusët nga Kosova nisen drejt Tiranës për protestën gjithëkombëtare
BKT
Foto: Donika Sherifi /RTK
Lajme

Autobusët nga Kosova nisen drejt Tiranës për protestën gjithëkombëtare

Donika Sherifi|RTK

(Plotësuar, 11:00) Autobusët me qytetarë nga mbarë Kosova janë nisur drejt Tiranës, ku në orën 17:00, në sheshin “Skënderbej”, do të mbahet protesta gjithëkombëtare në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po mbahen në paraburgim nga Gjykata Speciale në Hagë.

Protesta është organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së dhe ka për qëllim të kërkojë drejtësi për të akuzuarit dhe të mbrojë vlerat e luftës çlirimtare.

Nënkryetari i OVL-UÇK-së, Gazmend Syla, tha se përgatitjet në Tiranë kanë përfunduar dhe se gjithçka është gati për të pritur pjesëmarrësit nga të gjitha trevat shqiptare.

“Në fakt, jemi që dy ditë në Tiranë si kryesi e organizatës për organizimin e protestës. Gjithçka është gati për t’i pritur të gjithë pjesëmarrësit. Shteti shqiptar ka qenë në nivelin më të lartë, jo vetëm që kërkesat tona janë plotësuar në kohë reale, por kemi pasur edhe lehtësira tjera, si në pjesën kufitare ashtu edhe në lirimin nga taksa e rrugës”, deklaroi Syla në “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK.

Sipas tij, kjo pritet të jetë një nga protestat më të mëdha, duke theksuar mobilizimin e gjerë në të gjitha trojet shqiptare dhe në diasporë.

“Deri tani kemi të konfirmuar mbi 70 autobusë që janë nisur nga Kosova, ndërsa shumë qytetarë po udhëtojnë me automjete private. Ka pjesëmarrje të paralajmëruar edhe nga Maqedonia e Veriut, nga Lugina e Preshevës, Mali i Zi dhe nga mërgata shqiptare. Ky shesh do të mbledhë më së shumti shqiptarë ndonjëherë”, tha ai.

Zgjimi kombëtar në Tiranë, mjaft më me padrejtësi për UÇK-në

Sh.Ç|RTKlive

Sot, në orën 17:00, në sheshin “Skënderbej” në Tiranë do të mbahet një protestë gjithëkombëtare në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët po mbahen në paraburgim nga Gjykata Speciale në Hagë. Protesta është thirrur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së dhe ka për qëllim të kërkojë drejtësi për të akuzuarit dhe të mbrojë vlerat e luftës çlirimtare.

Gazmend Syla, nënkryetar i OVL-UÇK-së, vlerësoi se kjo pritet të jetë një nga protestat më të mëdha që nga përfundimi i luftës, duke theksuar mobilizimin e gjerë në të gjitha trojet shqiptare dhe në diasporë.

“Deri tani kemi të konfirmuar mbi 70 autobusë që do të nisen nga Kosova, ndërsa shumë pjesëmarrës do të udhëtojnë edhe me automjete private. Ka pjesëmarrje të paralajmëruar edhe nga Maqedonia e Veriut, nga Lugina e Preshevës, Mali i Zi dhe nga mërgata shqiptare”, tha Syla.

Sipas tij, protesta synon të dërgojë një mesazh të fuqishëm ndaj bashkësisë ndërkombëtare lidhur me, siç u shpreh ai, "humbjen e kredibilitetit të Gjykatës Speciale", e cila sipas organizatorëve, ka devijuar nga mandati i saj fillestar për drejtësi.

“Tirana është gurthemeli i UÇK-së. Këtu janë vendosur lidhjet e para të themeluesve. Kjo është arsyeja pse zëri ynë nga këtu ka më shumë jehonë,” shtoi Syla.

Në mbështetje të protestës, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë e Shqipërisë ka vendosur që Rruga e Kombit të jetë pa pagesë për 24 orë, për të lehtësuar qarkullimin e pjesëmarrësve nga Kosova dhe viset e tjera shqiptare.

Protesta ka marrë mbështetje të gjerë nga organizata të dala nga lufta. Këshilli Koordinues i Shoqatave të Luftës ka deklaruar përkrahje të plotë, duke theksuar se protesta është reagim i drejtë ndaj asaj që ata e cilësojnë si "padrejtësi ndaj çlirimtarëve të Kosovës".

“Nëse ka drejtësi, krerët e UÇK-së do të lirohen dhe do të kthehen faqebardhë. Është koha që kjo re e zezë mbi Republikën e Kosovës të përfundojë,” deklaroi Xhavit Jashari, kryetar i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të Kosovës.

Ndërkohë, edhe Shoqata e të Burgosurve Politikë, përmes kryetarit Shefik Sadiku, ka bërë thirrje për transparencë nga Gjykata Speciale dhe për përfundimin sa më të shpejtë të mandatit të saj.

“Mbështesim protestën në Tiranë dhe çdo përpjekje për të mbrojtur vlerat e luftës sonë çlirimtare. Gjykata duhet të shmangë çdo padrejtësi të mëtejshme,” tha Sadiku.

Pjesëmarrësit pritet të vijnë nga të gjitha trevat shqiptare dhe mërgata, në një tubim që synon të përcjellë unitet kombëtar dhe kërkesë të qartë për drejtësi në procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.


MË SHUME NGA Lajme