Begaj pret Ahmetin: UÇK-ja është krenari dhe pjesë thelbësore e historisë
BKT
Lajme

Begaj pret Ahmetin: UÇK-ja është krenari dhe pjesë thelbësore e historisë

Sh.Ç|RTKlive

(E plotësuar) Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, priti në një takim Ali Ahmeti, i cili ndodhet në Tiranë për të marrë pjesë në protestën e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kreu i shtetit shqiptarë, vlerësoi rolin e Ahmetit si një ndër themeluesit e UÇK-së, ndërsa theksoi se tubimi i sotëm krah veteranëve në Tiranë dëshmon mbështetjen unanime të shqiptarëve ndaj luftës së drejtë për çlirimin e Kosovës.  

“UÇK-ja bën krenar çdo shqiptar. Ajo është pjesë thelbësore e historisë sonë, sepse bëri një luftë të drejtë ndaj padrejtësisë shekullore”, ka theksuar Begaj, i cili theksoi se UÇK-ja ka pasur gjithmonë mbështetjen e aleatëve tanë, pasi ka qenë një organizëm çlirues dhe jo okupues.  

Gjatë bisedës me kreun e BDI-së Ali Ahmeti u diskutua edhe për faktorin shqiptar në rajon.

Begaj u shpreh për bashkëpunimin mes njëri-tjetrit dhe unitetin për çështjet që lidhen me identitetin kombëtar, paqen, sigurinë dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor dhe integrimin Euroatlantik të tij.

AI garantoi mbështetjen e Shqipërisë ndaj faktorit politik shqiptar në rajon dhe përpjekjeve për të siguruar ndaj qytetarëve një jetesë sa më të mirë.

Ahmeti takohet me Begajn para protestës `Drejtësi për Çlirimtarët`Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti takon Presidentin e Shqipërisë para protestës gjithëkombëtare “Drejtësi për Çlirimtarët”.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, u takua sot në Tiranë me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, para fillimit të protestës gjithëkombëtare “Drejtësi për Çlirimtarët”.

Ahmeti ka theksuar se gjatë takimit të ngrohtë dhe vëllazëror, bisedimet u përqendruan në zhvillimet aktuale në rajon, proceset euroatlantike, si dhe në rolet kyçe që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut luajnë në ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit ndërfqinjësor.

Ahmeti përgëzoi presidentin Begaj për përparimin e Shqipërisë në rrugën drejt integrimit evropian, duke theksuar se është jetike që edhe Maqedonia e Veriut të ecë paralelisht me Shqipërinë në këtë proces strategjik.

“Rruga drejt Bashkimit Evropian është një udhëtim strategjik kombëtar, i cili forcon paqen, zhvillimin dhe bashkëpunimin rajonal. Të dyja vendet tona duhet të ecin krah për krah drejt një të ardhmeje evropiane të përbashkët” ka shkruar Ahmeti në Facebook.

Në takim u theksua gjithashtu rëndësia e forcimit të stabilitetit rajonal, përshpejtimit të integrimit në Bashkimin Evropian dhe heqjes së barrierave që ndajnë popujt që ndajnë histori dhe gjak të përbashkët, duke i shndërruar ato në ura bashkëpunimi dhe dialogu në Evropën e bashkuar.


MË SHUME NGA Lajme