Masat e Policisë së Tiranës për protestën pro UÇK-së
E.Hoti/RTKlive
Policia e Tiranës njofton se ka hartuar plane të posaçme veprimi për mbarëvajtjen dhe sigurinë e tri aktiviteteve me pjesëmarrje të lartë që do të zhvillohen në Tiranë nga data 17 deri më 19 tetor 2025.
Përmes një njoftimi Policia shqiptare ka bërë të ditur se në këtë kuadër do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit në Bulevardin e Ri, gjatë zhvillimit të tubimit të sotëm në sheshin “Skënderbej”, konkretisht prej orës 17:00 deri rreth orës 19:00;
Ndërkaq më datë 18.10.2025, gjatë aktivitetit “Maratona Fan Run”, nga ora 09:00 deri në 11:00, do të kufizohet lëvizja në segmentin nga sheshi “Nënë Tereza” deri te bulevardi “Dëshmorët e Kombit”;
“Më datë 19.10.2025, gjatë aktivitetit sportiv “Maratona e Tiranës 2025”, do të ketë kufizim të qarkullimit të automjeteve nga ora 08:00 deri në 16:00, në zonat/segmentet rrugore: sheshi “Nënë Tereza”, bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, rruga “Gjergj Filipi”, rruga “Papa Gjon Pali II”, rruga “Ismail Qemali”, bulevardi “Bajram Curri”, kryqëzimi me Rrugën e Elbasanit, rruga “George Ë. Bush”, rruga “Abdi Toptani”, bulevardi “Zog I”, Bulevardi i Ri, rruga “Ded Gjo Luli”, Rruga e “Durrësit”, Rruga e “Kavajës”, rruga “Myslym Shyri”, bulevardi “Zhan D’Ark” (nga ura e Gjykatës deri te ura e “Taiwan”), bulevardi “Bajram Curri” (nga ura e Gjykatës së Rrethit deri te ura e “Taiwan”), rruga “Ibrahim Rugova” dhe rruga “Lek Dukagjini””, thuhet në njoftim.
Policia gjithashtu njofton se për të garantuar mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, itinerari i mjeteve të transportit urban, do të pezullohet përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe sheshit “Nënë Tereza”, si dhe në të gjitha segmentet rrugore që kryqëzohen me itinerarin e sipërcituar, nga ora 08:00 deri në 16:00, të datës 19.10.2025.
Tutje bëhet e ditur se do të ndalohet qarkullimi i automjeteve për transport të përzier, teknologjikë dhe atyre për transport pasagjerësh (përveç mjeteve të transportit urban qytetas), në brendësi të Unazës së Madhe, më datë 19.10.2025, nga ora 08:00 deri në 16:00.
“Informojmë se qarkullimi i mjeteve të Emergjencës dhe i Policisë së Shtetit do të vijojë normalisht në të gjitha itineraret e lartpërmendura”, thuhet në njoftim.
Policia e Tiranës ka ftuar qytetarët që të shmangin lëvizjen me mjete, në zonat ku do të ketë kufizime, të përdorin rrugë alternative dhe të respektojnë udhëzimet e punonjësve të Policisë, në terren.























