Kosumi: Përgatitja për Festivalin e Këngës nis që në mars
RTK
Udhëheqësja e medieve online në RTK, Valjeta Kosumi ka folur për strategjinë e mbulimit të edicionit të tretë të Festivalit të Këngës, i cili do të mbahet më 6, 7 dhe 8 nëntor.
“Puna për ne fillon shumë më herët, nga muaji mars kur përzgjidhet drejtori dhe drejtori artistik i festivalit. Prej atëherë nisë strategjia se si të mbulohet kjo ngjarje në rrjete sociale dhe platformat online. Edhe këtë vit ka qenë ngjashëm sikurse vitet e kaluara. Pjesa interesante është që ne nuk mund ta shijojmë gati asnjëherë festivalin dhe natën finale sepse jemi të angazhuar ta publikojmë në kohë reale”, ka thënë ajo, në “Mirëmëngjesi Kosovë”.
Ajo ka folur për plasimin e videove prezantuese të konkurrentëve, të cilëve u është dhënë hapësira që të përshëndesin ndjekësit e Festivalit të Këngës dhe dhënien e mesazheve për publikun.
“Është mendim i imi dhe mendoj se qëndron, se mënyra më e mirë për ta promovuar çdo lloj aktiviteti është përmes rrjeteve sociale dhe medieve online. Kjo sepse shikuesi e ka mundësinë që ta konsumojë produktin në kohën e dëshiruar...prandaj janë platforma shumë të mira që tërheqin audiencë”, ka thënë ajo, për rëndësinë e botës digjitale sot.
Kosumi ka njoftuar se departamenti i Medieve Sociale do të sjellë edhe prapaskenat e Festivalit të Këngës, sikurse edicionin e kaluar, duke mundësuar që publiku të sheh përtej shkëlqimit glamuroz.
Sivjet Festivali i Këngës do të sjellë në skenën e vet 20 artistë garues. Organizatorët kanë bërë të ditur se programi mysafir do të jetë i larmishëm me emra të dëshmuar të skenës vendore, teksa nuk kanë zbuluar emrat e tyre. Tema e sivjetme ndërlidhet me mirënjohjen për krijimtarinë artistike shqipe që i ka rezistuar kohës ndër vite, duke e shndërruar edicionin e tretë tërësisht të fokusuar në përmbajtje muzikore.























