LDK thotë se deputeti Zemaj u ofendua dhe u përball me sulm fizik
A.B|RTKlive
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar dhe ka dënuar atë që e konsideron sulm të papranueshëm ndaj deputetit Armend Zemaj, i ndodhur sot.
“Ky akt është i papranueshëm dhe përbën cenim të drejtpërdrejtë ndaj sigurisë personale të një përfaqësuesi të zgjedhur të popullit e të LDK-së dhe ndaj vetë integritetit të institucioneve demokratike të vendit”, thuhet në reagimin e LDK-së.
Lidhja Demokratike potencon se sulmet, qoftë verbale apo fizike, ndaj përfaqësuesve të popullit dhe zyrtarëve të LDK-së, përbëjnë cenim të drejtpërdrejtë të dinjitetit institucional dhe të kulturës demokratike mbi të cilën ndërtohet shteti. "Mendimi ndryshe është vlerë themelore e demokracisë, por shprehja e tij kurrë nuk mund të kalojë në fyerje apo dhunë", theksohet tutje në reagim.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, përmes një postimi në ‘Facebook”, shprehu keqardhje dhe kërkoi falje publike. Sipas tij, në këto raste do duhej të ruaje qetësinë dhe dinjitetin në çdo rrethanë dhe pavarësisht provokimit, i cili thotë se nuk i ka ndodhur kurrë gjatë karrierës sw tij dhe se dhuna, në çfarëdo forme, nuk është përgjigje e drejtë
Rasti është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Enis Pllana, ka deklaruar për RTK-në se palët e përfshira janë intervistuar në polici.























