Kuvendi nuk e voton, dështon formimi i Qeverisë së re|Video
RTKlive
Në seancën e zhvilluar sot, 110 deputetë morën pjesë në votimin për qeverinë e re të Kosovës. Nga votat e dhëna, 56 votuan “për”, 52 “kundër”, ndërsa 4 deputetë abstenuan.
Kryeparlamentari Dimal Basha tha se tash përgjegjësia kalon te presidentja Vjosa Osmani.
“Ju njoftoj të nderuar deputetë se, sipas nenit 95 paragrafi 4 të Kushtetutës së Kosovës, përgjegjësia tani kalon sërish te presidentja, e cila pas konsultimeve me partitë politike dhe brenda një afati prej dhjetë ditësh ka mundësi të emërojë kandidatin tjetër për kryeministër, sipas të njëjtës procedure,” tha ai.
Kurti prezanton kabinetin e ri qeveritar “Kurti 3”
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka njoftuar se, megjithëse nuk ka arritur të sigurojë koalicion për të qeverisur, ka prezantuar kabinetin e ri qeveritar të Qeverisë “Kurti 3”. Në këtë kabinet, Glauk Konjufca do të mbajë postin e Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, Hekuran Murati do të drejtojë Ministrinë e Financave, ndërsa Andin Hoti do të jetë Ministër për Familje.
Në pozitat e tjera, Maqedonci merr Ministrinë e Mbrojtjes, Xhelal Sveçla Ministrinë e Punëve të Brendshme, Lulzon Jagxhiun Ministrinë për Administratë dhe Digjitalizim, Avni Zogiani Ministrinë e Arsimit, ndërsa Fatmir Spahiu do të udhëheqë Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit. Blerim Gashani do të jetë Ministër i Sportit dhe Rinisë, Rasim Demiri Ministër i MAPL, Fitore Pacolli Ministër i Mjedisit, Armend Muja Ministër i Bujqësisë, Dimal Basha Ministër i Infrastrukturës, Nenad Rashiq Ministër për Komunitete dhe Kthim dhe Sejnur Veshalli Ministër i Zhvillimit Rajonal.

LIVE| Kurti thotë se s`ka koalicion, por fton deputetët të votojnë Qeverinë
(E përditësuar) Ka nisur me vonesë seanca për miratimin e Qeverisë “Kurti 3”. Albin Kurti ka theksuar se vonesa më shumë se gjashtëmuajshe ka penguar punët shtetërore dhe marrëveshjet ndërkombëtare, ndërsa ka treguar se asnjë parti nuk ka pranuar të hyjë në koalicion.
"Sot, mbi 6 muaj që prej thirrjes së seancës konstituive, me në fund kemi Kuvend të konstituuar dhe kemi arritur në pikën e formimit të Qeverisë. Kjo është një vonesë e paprecedentë në historinë e Republikës. Kjo vonesë ka ndikuar në mbarëvajtjen e punëve shtetërore, janë vonuar marrëveshjet ndërkombëtare, plani i rritjes me BE, proceset e reformave dhe është lënduar besueshmëria e shtetit tonë para partnerëve ndërkombëtarë".
"Në këto 6 muaj, përpjekjet për formimin e një shumice qeverisëse nuk dhanë rezultat, përkundër tentimeve tona të disahershme e shterruese. Asnjëra nga partitë parlamentare të cilave u bë ftesa nuk ka pranuar të hyjë në marrëveshje bashkëqeverisëse", ka deklaruar Kurti.
Ai ka ftuar deputetët që ta votojnë qeverinë, pavarësisht këtyre mosmarrëveshjeve.
"Ky votim sot nuk është thjesht formalitet politik, por përgjegjësi shtetërore. Pa votimin e Qeverisë së re, Republika rrezikon të shkojë në zgjedhje të reja, pa shumë institucione funksionale, pa buxhet të miratuar për vitin e ardhshëm. Kjo do të nënkuptonte rrezikim të pagave për shërbyesit publikë, pensionet, shtesat për fëmijët, furnizimit me barna, furnizimin e organeve të rendit dhe sigurisë. Një vend pa buxhet është një vend që nuk mund të ecë përpara”, ka theksuar Kurti.
Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka bërë me dije se Qeveria e re planifikon miratimin e projektligjit të buxhetit 2026, vendimin për caktimin e pensionit minimal prej 150 euro për 200 mijë pensionistë, rritjen e shtesave për fëmijët me 50 për qind, rritjen e pagës minimale në 500 euro, si dhe ndryshimet ligjore që mundësojnë heqjen e kufizimit të punësimit në sektorin privat për veteranët.
Ai ka theksuar se gjatë katër viteve të fundit Qeveria ka arritur rritjen më të lartë ekonomike në rajon.
“Katër vitet e fundit kemi ndërtuar me krejt cka kemi ditur e mundur. Kemi pasur rritjen ekonomike më të lartë në rajon me rritje mesatare mbi 6 për qind. Sfidën e inflacionit kemi ditur ta menaxhojmë. Kemi shtuar punësimin dhe kemi rritur edhe të ardhurat e familjeve. Kemi bërë shumë punë të mira por kemi edhe shumë të tjera që na presim. Kemi liberalizuar vizat në zonat shengen. Kemi përmirësuar imazhin e vendit”, ka thënë ai teksa ka kërkuar nga partitë tjera bashkëpunim në çështje madhore" , ka deklaruar Kurti mes tjerash.
Ai ka kërkuar nga partitë tjera bashkëpunim në çështje madhore, duke theksuar se institucionet e vendit janë ndërtuar mbi vullnetin qytetar dhe se Kuvendi duhet të forcojë rolin e tij në mbikëqyrjen e Qeverisë.
“Është në dorën tuaj që ta na mundësoni qeverisjen e mirë. Roli i Kuvendit duhet të forcohet në mbikëqyrjen e Qeverisë”, ka thënë mes tjerash Kurti.

Vonohet nisja e seancës për Qeverinë `Kurti 3`
(E përditësuar) Seanca për miratimin e Qeverisë “Kurti 3” nuk ka nisur ende, megjithëse ishte planifikuar të fillonte në orën 10:00.
Kjo është dita e fundit e mandatit që presidentja Vjosa Osmani i ka dhënë kreut të Vetëvendosjes Albin Kurti për të prezantuar kabinetin qeverisës dhe programin e tij.
Deri më tani nuk ka pasur konfirmim për ndonjë koalicion të arritur.
Presidentja ka bërë të ditur se në rast të dështimit të sotëm, ajo brenda dhjetë ditëve do t’i ftojë partitë politike për të parë nëse ndonjëra mund të sigurojë 61 votat e kërkuara.
Analistët: Pak gjasa që qeveria e re të formohet menjëherë
(E përditësuar) Seanca për Qeverinë e re është caktuar të mbahet sot, me fillim nga ora 10:00. Analistët politikë vënë në dyshim mundësinë që qeveria e re e Kosovës të formohet sot.
Fatime Hajdari thotë se “Gjasat janë të pakta që të kemi një qeveri të re, sepse nuk kemi dëgjuar për ndonjë marrëveshje të arritur dhe në rrethana të tilla ngelen vetëm shpresat që ndonjëri prej deputetëve të votojë për qeverinë, edhe pse nuk kemi ndonjë informacion shtesë sa i përket ndonjë bashkëpunimi potencial që mund të jetë arritur brenda këtyre ditëve.”
Ndërkaq, Melazim Koci thekson se “Nuk mund të marrë epilog sot kjo çështje. Mund të ia lëmë një përgjigje të vogël mundësisë që të ndodhë një kthesë, por nuk ka gjasa sot… sepse mendoj se as që ka pasur përpjekje, dhe ka qenë e pamundur, sepse të dy partitë, edhe PDK edhe LDK, kanë qenë të barrikaduara, jashtë çdo mundësie për koalicion me Vetëvendosjen. Nuk ka sot dhe nuk do të ketë formim të qeverisë, por presim fillimin e bisedimeve serioze.”

Veton Berisha: “Nuk jemi bllokues asnjëherë”
Deputeti nga komuniteti joshumicë, Veton Berisha, ka treguar se është kontaktuar nga mandatari për kryeministër, Albin Kurti, gjatë së shtunës. Ai nuk ka zbuluar nëse kanë diskutuar për ndonjë pozitë specifike, por ka theksuar se nuk do të jenë pengesë.
“Kemi diskutuar por të shohim sot propozimet si janë. Kemi pas mbrëmë kontakt, kemi taku kryeministrin, ta shohim sot se si është situata. Nuk jemi bllokues asnjëherë,” tha Berisha.
Haradinaj: Nëse s’ka marrëveshje sot, mbeten zgjedhjet
Para fillimit të seancës së Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë së re, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se partia e tij është në pritje të hapave të subjektit që ka marrë më shumë vota në zgjedhjet e fundit parlamentare.
“Tash po presim lëvizjen e partisë që ka marrë më shumë vota. Të shohim se çka do t’i ofrojë Kuvendit si qeveri dhe si votë të shumicës. Jemi në pritje të një rezultati nga kjo seancë e sotme,” ka thënë Haradinaj . Ai ka shtuar se nëse seanca e sotme përfundon pa rezultat, atëherë zgjidhja e vetme, sipas tij, mbeten zgjedhjet e reja. “Nëse epilogu i ditës së sotme del i dështuar, atëherë zgjidhja e vetme, me sa kuptoj, do të jenë zgjedhjet,” ka theksuar kreu i AAK-së.
Limaj: Qëndrimet e Nismës mbeten të pandryshuara
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka bërë të ditur se qëndrimet e partisë së tij për Qeverinë Kurti III janë të qarta dhe nuk kanë ndryshuar, duke lënë të kuptohet se nuk do të japin mbështetje. Ai po ashtu tha se në orët e fundit nuk ka pasur asnjë kontakt nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Qëndrimet tona janë publike, dhe nuk kemi marrë asnjë komunikim të ri,” tha Limaj.
Sveçla: "Për hajër ju koftë Kurti 3"
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla është i bindur se i kanë numrat për formimin e qeverisë sot. Ai para nisjes së seancës së Kuvendit, para gazetarëve dha një koment të shkurtër duke thënë “për hajër ju koftë Kurti 3”.
Tahiri: PDK nuk do të jetë pjesë e asnjë koalicioni me VV-në
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri para fillimit të seancës për zgjedhjen e Qeverisë së Kosovës, ka thënë se është i bindur që mandatari Albin Kurti nuk i ka votat. Ai theksoi se PDK nuk do të jetë pjesë e asnjë koalicioni me VV-në.
“Partia Demokratike e ka bërë të qartë prej certifikimit të zgjedhjeve, që në asnjë rrethanë nuk do të jetë pjesë e asnjë koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje, dhe as nuk do të ketë votë për Lëvizjen Vetëvendosje”, tha ai.
Abdixhiku: Abdixhiku: Sot bie perdja e mashtrimit tetëmujor
Para seancës për formimin e Qeverisë, Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se sot do të zbulohen të vërtetat për numrat e qeverisë, duke shtuar se punët e mira nuk lihen për ditët e fundit.
“Sot mandatari duhet ta prezantojë shumicën, për ta formuar këtë shumicë, i pari i zgjedhjeve do të duhet të bënte përpjekje. Jo ta linte ditën e fundit”, tha Abdixhiku.
(07:58) Sot Seanca për Qeverinë e re, Kurti pritet të prezantojë kabinetin
Seanca për Qeverinë e re është caktuar të mbahet sot, me fillim nga ora 10:00. Mandatari për formimin e Qeverisë së re të Kosovës, kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, sot pritet t’ua prezantojë kabinetin qeveritar deputetëve të Kuvendit.
Ligjvënësit do të mblidhen në seancë në orën 10:00. Më 10 tetor u bë konstituimi i legjislaturës së 9-të, e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. E gjithë kjo ndodhi tetë muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve. Tashmë vendi ndodhet para një situate tjetër. Mandatari për formimin e qeverisë së re, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, sot duhet ta prezantojë para 120 deputetëve kabinetin e ri qeveritar.
Vetëvendosje ka 48 deputetë, ndërsa përkrahje ka edhe nga të paktën shtatë deputetë të komuniteteve pakicë joserbe. Aktualisht nuk ka informacione për një marrëveshje koalicioni.
Ani pse fitoi zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, Vetëvendosje nuk mori mjaftueshëm vota për të qeverisur e vetme, ndërsa zgjodhi t’i bëjë ofertë Lidhjes Demokratike për bashkëpunim, e kjo e fundit refuzoi. Vetëvendosje tha se nuk bën koalicion me Partinë Demokratike as me Listën Serbe.
Kurti, për ta formuar qeverinë e re, duhet t’i sigurojë votat e 61 deputetëve deri nesër. Por nëse kjo nuk ndodh, presidentja është e obliguar që brenda 10 ditëve t’i ftojë në konsultim edhe një herë partitë politike dhe të vendosë, sipas diskrecionit të saj, për mandatarin e dytë, nëse i dëshmohet se i ka numrat për të formuar qeverinë.
Edhe i dyti ka 15 ditë kohë që t’ia paraqesë Kuvendit përbërjen e kabinetit qeveritar. Nëse as herën e dytë nuk formohet, presidentja duhet t’i shpallë zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen dyzet ditë nga data e shpalljes.























