Shqipëria i jep lamtumirën e fundit ish-kryeministrit Fatos Nano
BKT
Lajme

Shqipëria i jep lamtumirën e fundit ish-kryeministrit Fatos Nano

RTSH

( E plotësuar) Shqipëria i ka dhënë lamtumirën e fundit ish-kryeministrit Fatos Nano sot përmes një ceremonie shtetërore.

Lamtumirë Fatos Nano! Rama: Lamtumirë themeluesit të PS. Njeri i vlerave, që e admiruan edhe ata që të kallën në burg

Kryeministri Edi Rama ka mbajtur fjalwn e lamtumirës për ish-kryeministrin Fatos Nano, duke përkujtuar me emocione të thella jetën dhe veprën e tij.

Në një fjalim të ndjerë gjatë homazheve, Rama përkujtoi pasionin dhe integritetin e Nanos, forcën e tij për t’i qëndruar besnik parimeve edhe në momentet më të vështira, dhe mënyrën se si ai frymëzonte të gjithë rreth tij për të ndërtuar një Shqipëri më të drejtë dhe më të qytetëruar.

Nano, sipas Ramës, nuk ishte thjesht një politikan, por një figurë që la gjurmë të thella në historinë e vendit dhe në kujtesën e shqiptarëve.

“Sa do të doja, i dashur Fatos, të uleshim sonte në një nga ato darkat tona të rralla të viteve të fundit, plot me shijen e ajrit të pastruar mes nesh, dhe të kalonim deri vonë në atë revistën tonë të ngjarjeve dhe personazheve të ndryshëm, të gjithë ato që i shkruam për ty deri sa ike përgjithmonë.

Sa të paskan dashur dhe admiruar edhe ata që nuk kanë guxim për të thënë gjë tjetër. Edhe ata që të kallën në burg dhe shpërndanë mbi ty gjithë të zezat e gjuhës shqipe, vetëm ta shihje sa bukur kanë qëndisur fjalët e admiratës së tyre.

Në vend që të qeshja ca me ty sonte, mua më duhet të rendis fjalët e lamtumirës, të cilat nuk i imagjinova dot. Mendova në atë çast vetëm gruan tënde, Xhoanën, që vazhdonte të rrinte pranë kokës sate si një roje besnike e gjumit tënd të pambarimtë. Asfare nuk të mendova ty të shtrirë në arkëmort për të ikur nga kjo jetë, që e deshe dhe e jetove, duke ia marrë sundimeve të natës dhe duke pirë gotat e fatit. I japim lamtumirën themeluesit të partisë sonë”, tha Rama.

Lamtumirë Fatos Nano! Xhoana Nano: Ai ishte më shumë se një figurë për t’u kujtuar në histori, besonte te vlerat europiane

Bashkëshortja e ish-kryeministrit Fatos Nano, Xhoana Nano, zhvilloi homazhe dhe mbajti një fjalim të ndjerë për të shprehur dhimbjen dhe mirënjohjen për bashkëshortin e saj.

Në fjalimin e saj, ajo kujtoi Nano si një njeri që nuk donte kurrë të shtirej dhe e urrente populizmin, duke vepruar gjithmonë sipas bindjeve të tij dhe duke besuar tek ato që bënte.

“Ai besonte me shpirt tek vlerat europiane,” tha Znj.Nano.

Ajo e përshkroi Fatosin si një njeri me zemër të madhe, i cili dinte të falte dhe nuk kërkonte hakmarrje, madje edhe pas vuajtjeve dhe burgimit të padrejtë.

“Fatosi ishte shumë më tepër se një figurë publike, shumë më tepër se ato që mund të pasqyrohen në histori apo media. Ai nuk donte kurrë të shtirej, e urrente populizmin dhe bënte gjithmonë atë që besonte, duke besuar tek ajo që bënte. Ai besonte me shpirt tek vlerat europiane.

Ai ecte larg baltës së politikës pa u ndotur prej saj. Nuk ishte i zakonshëm; nuk bënte asgjë përgjysmë, as në punë, as në miqësi, as në dashuri. Ai kishte zemër të madhe dhe dinte të falte. Hakmarrja nuk ishte pjesë e tij, dhe këtë e tregoi edhe pas vuajtjeve dhe burgimit të padrejtë”, u shpreh Znj.Nano.

Xhoana Nano përfundoi duke theksuar se Fatosi dëshironte që Shqipëria të bëhej më e begatë, më e drejtë dhe më njerëzore, duke u angazhuar deri në fund për të ardhmen e vendit.

“Sjellja e tij riktheu paqen sociale në vend, edhe pse kjo nuk duket gjithmonë. Fatosi solli një frymë të re, duke e parë jetën politike jo si përplasje apo garë për pushtet, por si një mundësi për të arritur kompromis dhe drejtësi. Ai donte këtë vend me gjithë shpirt, dhe pavarësisht vuajtjeve personale, nuk hoqi dorë nga dëshira për ta parë Shqipërinë më të begatë, më të drejtë dhe më njerëzore”, tha ajo.

Në Pallatin e Kongreseve u mbajtën sot homazhet zyrtare në nderim të Fatos Nanos, ish-Kryeministër i Shqipërisë dhe lider historik i Partisë Socialiste, i cili u nda nga jeta të premten, më 31 tetor, në moshën 73-vjeçare, pas problemeve të rënda shëndetësore.

Albin Kurti bën homazhe për Fatos Nanon në Tiranë, me të edhe Albulena Haxhiu

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka bërë homazhe në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, në nderim të ish-kryeministrit të Shqipërisë, Fatos Nano, i cili vdiq të premten në moshën 73-vjeçare. Së bashku me të ishte Albulena Haxhiu, nënkryetarja e Kuvendit. Kurti u ndal edhe për të shkruar në librinë e zisë për ish-kryeministrin dhe ish kreun e Partisë Socialiste të Shqipërisë.

Këshilli i Ministrave ka shpallur Zi Kombëtare të dielën në nder të figurës së tij, ndërsa flamujt në institucionet shtetërore dhe publike do të ulen në gjysmë shtizë.

Në orën 12:00, të gjitha veprimtaritë do të ndërpriten për të mbajtur një minutë heshtje në mbarë vendin.

Homazhet publike do të zhvillohen tek Pallati i Kongreseve nga ora 08:30 deri në 11:00, duke u dhënë qytetarëve mundësinë të japin lamtumirën e fundit.

Pas tyre, do të zhvillohen homazhet shtetërore.

Në këtë ceremoni, një pjesëtar i familjes së Nanos do të mbajë fjalimin e tij, ndërsa pritet që edhe kryeministri Edi Rama, pasuesi i Fatos Nanos në drejtimin e Partisë Socialiste, të marrë fjalën, duke përkujtuar kontributin e madh të ish-kryeministrit në jetën politike dhe publike të vendit.

Në ceremoni pritet të marrin pjesë edhe personalitete politike nga Kosova.

Për organizimin e ngjarjes është ngritur një Komision i Posaçëm Shtetëror, nën mbikëqyrjen e Kryeministrit, me përfaqësues nga institucionet kryesore shtetërore dhe të sigurisë, që të garantojë rregull dhe respekt gjatë gjithë zhvillimit të homazheve dhe ceremonisë funebre.

Në përfundim, trupi i Fatos Nanos do të niset nga Pallati i Kongreseve drejt banesës së fundit në Sharrë, ku familja ka kërkuar që ceremonia ortodokse të kryhet në privatësi.

Ish-kryeministri do të mbahet mend si një figurë historike e të majtës dhe një prej liderëve më të rëndësishëm të periudhës së tranzicionit shqiptar.


MË SHUME NGA Lajme