Mbahet sot në Bruksel samiti për zgjerimin e BE-së, i pranishëm dhe Rama
RTSH
Mbahet sot në Bruksel samiti për zgjerimin e Bashkimit Evropian, duke bërë bashkë udhëheqësit e unionit dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Punimet e samitit pritet të nisin në orën 14:00 dhe të përfundojnë në 17:00, ndërsa i pranishëm do të jetë dhe kryeministri Edi Rama.
Kryeministri, së bashku me delegacionin shoqërues, do të udhëtojë drejt Brukselit për të marrë pjesë në Samitin e Zgjerimit të Bashkimit Europian, një ngjarje e rëndësishme televizive e organizuar nga Euronews, që do të bashkojë liderët e vendeve anëtare dhe atyre kandidate të BE-së për të diskutuar mbi të ardhmen e procesit të integrimit europian.
Ky samit, i pari në formatin e tij, do të shërbejë si një platformë e re dialogu mes drejtuesve më të lartë politikë të Ballkanit Perëndimor me të Europës, në një kohë kur zgjerimi i Bashkimit Europian ka marrë një shtysë të re pas zhvillimeve gjeopolitike të viteve të fundit.
Rreth orës 2.30, Kryeministri Rama do të jetë pjesë e panelit të “EU Enlargement Summit”, së bashku me Kryeministrin e Malit të Zi Milojko Spajiq dhe Kryeministrin e Maqedonisë së veriut Hristijan Mickoski.
Shqipëria vijon të konsiderohet si një nga vendet më të avancuara në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian, me një objektiv të qartë për t’u bërë pjesë e tij deri në vitin 2030.
Gjatë samitit, udhëheqësit e vendeve kandidate do të përshkruajnë progresin dhe sfidat e tyre në rrugën drejt integrimit në BE.
Vendet do të përfaqësohen në nivelin e krerëve të shteteve ose qeverive, ndërsa pjesëmarrja e Presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, është konfirmuar zyrtarisht.
Samiti do të mbledhë së bashku presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, homologët e tij nga Moldavia dhe Serbia, Maia Sandu dhe Aleksandar Vuçiç, Kryeministri Edi Rama dhe dy homologët e tij nga Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, Milojko Spajiç dhe Hristijan Mickoski.
Samiti do të shqyrtojë përfitimet e zgjerimit të BE-së, aksesin në tregje të reja për miliona konsumatorë, zgjerimin global të ndikimit politik të BE-së dhe forcimin e demokracisë dhe vlerave evropiane në të gjithë kontinentin.
Koha e samitit përkon me prezantimin nga Komisioni Evropian të raportit të këtij viti mbi progresin e vendeve kandidate, përfshirë Ukrainën.
Gjatë kësaj të marte (4 nëntor) BE pritet gjithashtu të miratojë këstin e pestë të financimit për Ukrainën në kuadër të Instrumentit për Ukrainën.























