Kurti: Glauk Konjufca mandatar i dytë për kryeministër
V.S|RTKlive
(E plotësuar, 12:38) Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së e ka propozuar nënkryetarin e këtij subjekti, Glauk Konjufca për mandatar të dytë për kryeministër të Kosovës.
Glauk Konjufca është mandatari i ri për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV). Propozimi erdhi nga kryetari i Lëvizjes, Albin Kurti, i cili, si mandatar i parë, kishte dështuar t’i siguronte votat e nevojshme për krijimin e qeverisë “Kurti 3”.
Megjithatë, Kurti para anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm theksoi se ky nuk është propozim për të bërë lëshim politik.
“Sepse rregulli i demokracisë thotë se subjektet vendosin vetë, dhe për LVV-në as nuk vendos, as nuk do të vendosë ndonjë subjekt tjetër,” tha Kurti.
Sipas tij, propozimi për emrin e nënkryetarit të partisë, Glauk Konjufca, erdhi si rezultat i vlerësimit dhe besimit të madh që ai dhe partia kanë për ish-kryetarin e Kuvendit.
“Këtë propozim e bëj për shkak të vlerësimit dhe besimit të madh që e kam dhe që e kemi të gjithë te Glauku, si dhe për të shmangur mbajtjen e dy palë zgjedhjeve – në dhjetor dhe në prill. Le të vazhdojmë me të njëjtin kabinet që kam propozuar,” tha Kurti, duke shtuar se me Konjufcën “veç do t’i ndërrojnë vendet”.
“Unë marr vendin e Glaukut, e ai timin, siç jemi dakorduar mbrëmë në kryesi. Le të votohet më pas buxheti i shtetit dhe buxhetet komunale, të miratohet Plani i Rritjes së BE-së për fondet e vlefshme, të kryhen disa punë të domosdoshme, e pastaj të shkojmë në zgjedhje,” shtoi ai.
Kreu i LVV-së u bëri thirrje partive të tjera parlamentare që, siç tha ai, të mos e humbin këtë mundësi.
“Ja pra, po ia japim mundësinë opozitës që t’ia kursejë vendit dy palë zgjedhje, sepse mjafton në prill, kur të hapet çështja e presidentes. Ne do të shkojmë përpara me tentimin e dytë, me mandatarin e dytë, Glauk Konjufcën, me dëshirën më të mirë për shtetin dhe vendin. Shpresoj të mos e keqpërdorin dhe të mos e humbin edhe këtë mundësi.
Ne si LVV jemi gati për zgjedhje – qoftë sot, në dhjetor apo në prill të vitit të ardhshëm – por po e japim këtë mundësi si zgjidhje për këtë bllokim të kotë, të shkaktuar nga kokëfortësia, inati dhe kalkulimet e gabuara,” tha Kurti.
Në përmbyllje, ai u drejtua me një thirrje të drejtpërdrejtë për opozitën:
“Opozitarëve u them: ju lutem, mos u betononi në pozitën e bllokuesit. Ja ku e keni shansin. Mos e lejoni t’i ikë edhe ky shans Republikës së Kosovës.”
Para mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm, raportohet se Kurti ka zhvilluar një takim me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, megjithëse detajet e këtij takimi ende nuk janë bërë publike.
Më 26 tetor, Albin Kurti, në cilësinë e kryeministrit në detyrë, kishte dështuar t’i siguronte 61 votat e domosdoshme për formimin e qeverisë së re. Ai mori 56 vota për, 52 kundër dhe katër abstenime.
Nis mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së
Ka nisur mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje. Kryetari i Vetëvendosjes Albin Kurti para anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm në takimin e tyre të 60-të tha se është e qartë se në historinë 12 vjeçare të pjesëmarrjes në zgjedhjet lokale nga cikli në cikël, LLV-ja po rritet, sipas tij, çdo herë e më shumë.
“Ky është një tregues se organizata jonë po bëhet alternativa më serioze dhe po gjen mbështetjen e qytetarëve edhe aty ku ndjehet më së afërmi, nëpër komuna. Nga një komunë e fituar më 2013 që ishte kryeqyteti, në tri komuna në vitin 2017, në katër komuna në vitin 2021, tash në vitin 2025 me tri komuna të fituara pa balotazh e 12 komuna të tjera në balotazh e shumë afër fitores. Nga 69 asamblistë të fituar në zgjedhjet 2013, në 127 në vitin 2017, 176 në vitin 2021 edhe 177 në vitin 2025. Kjo është rritja e vazhdueshme e LVV në nivel lokal”, tha Kurti.
Në këtë mbledhje në rend dite është edhe caktimi i mandatarit të Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër.























