Punëtorët e RTK-së ende pa paga
BKT
Në Fokus

Punëtorët e RTK-së ende pa paga

D. Sh./ RTK&K.K. / RTKlive

Në mungesë të institucioneve, punëtorët e transmetuesit publik ende nuk i kanë marrë pagat e muajit tetor.

Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha dhe mandatari i ri për kryeministër, Glauk Konjufca, kanë kërkuar nga partitë opozitare që të bashkëpunojnë për, siç deklaruan ata, çështjet urgjente, siç janë shmangia e zgjedhjeve dhe miratimi i buxhetit, ku përfshihet edhe buxheti i RTK-së.

“I ikim zgjedhjeve për shkak se ky popull nuk e ka luksin me shku në zgjedhje dy herë, dhe e dyta, kemi buxhetin e shtetit, buxhetin e tri komunave dhe gjithashtu kemi mbi 700 punonjës të RTK-së që presin pagat e tyre, dhe për këtë duhet një Kuvend dhe Qeveri funksionale për me vazhdu sa më shpejt”, theksoi Basha.

“E para, shmangja e zgjedhjeve në dhjetor, dhe e dyta, votimi i buxhetit të Kosovës. E përmenda çështjen e Radiotelevizionit të Kosovës, gjithë ata qindra punëtorë mbesin pa paga menjëherë tash. Të gjitha këto janë çështje urgjente, e në planin ndërkombëtar është Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, rrezikojmë ta humbim afatin, qindra miliona euro, dhe për këtë do t’ua kërkoj bashkëpunimin subjekteve opozitare”, pohoi Konjufca.

Ndërkaq, Sindikata e Punëtorëve të RTK-së ka njoftuar se të enjten, më 6 nëntor, do të mbahet protestë para hyrjes së televizionit publik.


MË SHUME NGA Në Fokus