Prokuroria e Gjakovës jep detaje për vrasjen e dyfishtë në Malishevë
BKT
Lajme

Prokuroria e Gjakovës jep detaje për vrasjen e dyfishtë në Malishevë

E.H|RTKlive

(E plotësuar, ora 16:35) Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, njofton se sot, më datë 6 nëntor 2025, është raportuar për një vrasje të dyfishtë të ndodhur në fshatin Gullbovc, Komuna e Malishevës.

“Pas marrjes së informacionit, në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet përkatëse policore, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore Gjakovë dhe Prokurori kujdestar. Me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupat e pajetë të viktimave janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë. Prokurori i Shtetit, ka iniciuar rast për shkak të veprave penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, po ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme me qëllim të lokalizimit dhe arrestimit të personit të dyshuar, i cili tashmë është identifikuar dhe ndodhet në kërkim.

“Gjithashtu, janë duke u mbledhur provat dhe po ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme”, thuhet në njoftim.

Vrasja e dyfishtë në Malishevë, kryeprokurori jep detaje

(E plotësuar) Në vendin e ngjarjes bashkë me prokurorin kujdestar ka dalë edhe kryeprokurori i Gjakovës, Enis Gashi i cili para gazetarëve tha se deri më tani ende nuk është lokalizuar apo kanë ndonjë informacion për vendndodhjen e të dyshuarit.

“Po ndërmarrim të gjitha hapat e nevojshëm si ne si Policia. Duhet të bëjmë verifikimin e informative që të dalim me informata sa më të sakta. Ajo çka mund të ju them është se në mes vete kanë raporte familjare, mirëpo motivin nuk e dimë. Pasi të kemi informata do të dalim me detaje. Pasi të marrim detajet do të ju njoftojmë”,deklaroi Gashi.

I dyshuari për vrasjen e dyfishtë në Malishevë, me aktakuzë për dhunë në familje

Kaltrina Shala nga Prokuroria Themelore në Prishtinë tha se  prokurori i shtetit ndaj personit të dyshuar A.I., me datë 06.04.2025, ka paraqitur kërkesën për caktimin e masës se paraburgimit, e cila po të njëjtit i është caktuar nga gjykata kompetente.

“Po ashtu me datë 07.04.2025, Prokuroria Themelore në Prishtine, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit A.I., për veprat penale “Dhune në familje” sipas nenit 248 të Kodit Penal te Republikës së Kosovës, dhe “Kanosje” në bazë të nenit 181 të KPRK-së”, tha ajo.

Vrasje e dyfishtë në Malishevë, viktimat vëllezër

( E plotësuar) Dy vëllezër janë vrarë të enjten në fshatin Golluboc të Malishevës. Lajmin për RTKlive e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, i cili ka bërë të ditur se personeli mjekësor në QMF ka konstatuar vdekjen.

"Rreth orës 11:30, jemi njoftuar se dy persona të gjinisë mashkullore, të moshës madhore (vllezër), janë dërguar në QMF-në e Kijevës si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit në fshatin Golluboc të Malishevës. Personeli mjekësor në QMF ka konstatuar vdekjen e viktimave. Njësitë e nevojshme policore i janë përgjigjur menjëherë rastit dhe kanë dalë në vendin e ngjarjes", tha ai.

Elezaj, bëri me dije se lidhur me rastin, deri më tani është identifikuar një person i dyshuar.

"Në koordinim me prokurorin e shtetit, janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me rastin dhe arrestimin e të dyshuarit", tha zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.

 


MË SHUME NGA Lajme