Kos: Barazia gjinore pjesë ligjore e BE, sulmi ndaj Gonzatos i papranueshëm
ATSH
Komisionerja për Zgjerimin në Bashkimin Europian, Marta Kos, reagoi sot për deklaratat e kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha ndaj ambasadorit të Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, lidhur me orientimin e tij seksual.
Komisionerja Kos shprehet se sulme të tilla janë të papranueshme.
“Barazia gjinore dhe mosdiskriminimi janë pjesë integrale e ligjit të BE-së. Përputhja me të është pjesë e procesit të pranimit në BE. Kjo nuk është një kërkesë private e ambasadorit të BE-së në Shqipëri. Çdo sulm ndaj tij është i papranueshëm”, thekson Kos, në një reagim në rrjetin social X.
Sot në Kuvend, kreu i PD-së Sali Berisha tha se ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato ka kërkuar votimin e projektligjit “Për barazinë gjinore”.
Berisha shtoi se Gonzato nuk mund t’i imponojë shoqërisë shqiptare bindjet e tij personale.























