Juria zgjedh 10 këngët finaliste të Festivalit të Këngës në RTK
B.H./RTKlive
(Plotësuar) Pas një nate të gjatë dhe emocionuese konkurrimi, juria e Festivalit të Këngës, me kryetar Xhevdet Gashin, ka përzgjedhur 10 këngët që do të garojnë në finale.
Zgjedhja ka qenë sfiduese, pasi të gjitha këngët e këtij edicioni kanë treguar nivel të lartë cilësie dhe kreativiteti. Sidoqoftë, në fund pas performancave në dy netët e festivalit juria është përcaktuar për këto 10 këngë:
Art Lokaj – “Ty”
Elmedinë Ramushi – “A po m’sheh”
Florent Abrashi – “Unë dhe Ti”
Teutë Halili – “Amin”
Kiara Juba – “Nirvana”
Klea Dina – “At”
Laurian Ejlli – “Një natë shkruajta për ty”
Arjeta Palushaj – “Andrra”
Arsi Bako – “Rreze zjarr”
Xuxi – “Identiteti”
Duet special Çavolli-Thaqi që bashkoi përmes teknologjisë dy gjenerata në Festivalin e Këngës
Një tjetër momentet tejet i veçantë dhe emocionues i natës së dytë të Festivalit të Këngës në RTK ishte performanca e veçantë që solli duetin mes dy këngëtareve të jashtëzakonshme, nga dy gjenerata të ndryshme, Liljana Çavolli dhe Adelina Thaqi.
“Ky është një duet mes dy grash, mes dy gjeneratash. Njëra këndon nga skena e Festivalit të Këngës, ndërsa tjetra na këndon nga qielli”, tha moderatorja Rina Krasniqi duke e paralajmëruar këtë performancë.
E performanca solli në skenë Adelina Thaqin, një nga zërat më të fuqishëm të skenës së sotme, dhe nga ekrani divën e papërsëritshme Liljana Çavolli, e cila fatkeqësisht nuk jeton më.
Përmes teknologjisë moderne dhe punës së drejtorit artistik Florent Boshnjaku, ky duet i jashtëzakonshëm u bë i mundur, duke rikthyer zërin e Liljanës në një formë virtuale, por të fuqishme, që bashkë me Adelina Thaqi krijuan një përvojë unike për publikun.
Kënga e parë ishte një dedikim për dashurinë dhe kujtimet e rinisë në Prizren, me refrenin emocionues: “Flora, Flora, dashuri… Flora Floriana ime, oh sa fort të du”.
Kënga e dytë ishte një mesazh për lumturinë, shpirtin dhe kujtimet e dashura: “Rrugë të mbarë dhe lamtumirë… zemra ty le ta dijë se të dashuroj”.
Derisa kënga e tretë ishte një thirrje për të ndarë gëzimin dhe frymëzimin: “Hidheni, dridheni, shtatin le të shpërthejë… hareja!”
Ky duet u prit me duartrokitje të gjata dhe emocione të forta nga publiku.
Konkurrentët mbyllin performancat, rriten ethet e finales
Konkurrentët kanë përfunduar paraqitjen në skenë në natën e dytë të Festivalit të Këngës dhe atmosfera bëhet gjithnjë më emocionuese, pasi presim të shohim se cilat këngë do të kalojnë në finale.
Performancat e fundit të kësaj mbrëmje sollën emocion dhe zëra të fuqishëm. Fillimisht në skenë u paraqitën Nita Latifi & Algert Sala me këngën “Pija”. Një këngë bashkëpunimi mes Kosovës dhe Shqipërisë, e cila kombinon përvojën e dy artistëve. Teutë Halili me këngën “Amin” edhe një herë ishte eksplozive, me ritëm dhe emocione të forta. Derisa Semi Tafaj me këngën “Vazhdoj” përmbylli paraqitjen e konkurruesve, një dedikim ky i veçantë nga kompozitori për një person të shquar.
Gili rikthehet në skenë me dy hite, juria punë të vështirë për finalistët
Një tjetër moment emocionues i natës së dytë të Festivalit të Këngës ishte rikthimi në skenë i Gilit, një veterane e skenës kosovare, e cila solli një kolazh të dy këngëve të saj më të njohura.
Njëra këngë i kushtohet dashurisë për Prishtinën, ndërsa tjetra, një hit i vjetër që kishte marrë pjesë në festivalin e RTSH-së në vitin 1995 "Xixëllonjë", e që vazhdon të këndohet dhe të pëlqehet nga publiku edhe sot. Performanca e Gilit u prit me duartrokitje të zjarrta, duke rikthyer atmosferën e magjisë së skenës dhe duke kujtuar rëndësinë e trashëgimisë muzikore kosovare.
Përpara se Gili të ngjitej në skenë performuan garuesit e radhës në zhanre të ndryshme, derisa një vlerësim për këngët e dha edhe kryetari i jurisë, Xhevdet Gashi.
“Vështirë është më të vërtetë, sepse këngët janë të barabara për nga kualiteti. Edhe ata që nuk do të shkojnë në finale, nuk do të thotë se këngët janë më të dobëta. E vështirë me vendos, por meqenëse jemi pesë veta në juri sigurisht se do të vendosim më real”, tha Gashi.
Laorjan Ejlli me jazz baladën “Një natë shkruajta për ty” pushtoi skenën, pastaj Bledi Kaso me “S’do të doja dy jetë”, një këngë me ndikime italiane me temën e lumturisë në dashuri.
Një baladë indie/alternative që synon të prezantojë një tjetër rrymë të muzikës moderne shqiptare e risolli në skenë për herë të dytë Dea Berisha me këngën “Afër”.
Dio Dragaj me “Baladë mbi dashurinë” solli një këngë për gjyshin Musa Ramadani, i cili ishte autor i tekstit.
Art Lokaj me “Ty” ndezi atmosferën me një performancë elektrizuese funk/neo-soul/R’n’B.
Një vajzë me zë impresionues nga Peja, Klea Dina prezantoi këngën “At”, duke demonstruar aftësitë e saj vokale, derisa Kiara Juba erdhi para publikut sërish me këngën “Nirvana”.
Hip-hop, balada, por edhe nostalgji rock–u në Festivalin e Këngës
Pas pjesës së nderimit të kompozitorit të njohur Reshat Randobrava, nata e dytë e Festivalit të Këngës vazhdoi me një kombinim të larmishëm të zhanreve muzikore.
Almir Kraba me këngën “Nuk ka si ti”, ishte një ndërrim për 180° nga tradita e muzikës zbavitëse, drejt hip-hop-it bashkëkohor, një nga zhanret më të popullarizuara globalisht. Me tekstin dhe muzikën e tij, Almir solli një baladë dashurie të rrëfyer me humor dhe sinqeritet, që tregon situatën e një çifti të ndarë dhe një koncerti të dashur për njëri-tjetrin.
Egzon Pireci, me baladën “Kënga jonë” dhe mesazh të fuqishëm se edhe në vetmi, dashuria mbetet fryma që na mban gjallë.
Kënga e dhjetë e natës së sotme “Pres” nga Zerxhina Kastrati shënoi një udhëtim historik dhe emocional nga vitet e ’80-’90-ta në Kosovë. Me tekstin e Jetmir Mehmedajt dhe muzikën e Memli Kelmendit, Zergjina rikujtoi përpjekjet e artistëve të asaj kohe për të mbajtur gjallë kulturën dhe muzikën ‘live’ edhe në kushte të vështira, duke sjellë një mesazh mbijetese dhe rezistence artistike.
BB Poqi, Muhamet Veseli dhe Shkëlzen Veseli mysafirë specialë të festivalit sollën një performancë që ktheu publikun prapa në kohë, duke rikrijuar atmosferën e lokaleve ku rock’n’rolli kosovar mbante gjallë skenën muzikore gjatë viteve të vështira të okupimit.
Pas tyre në skenë u ngjit konkurrenti i radhës, Xuxi, me këngën “Identitet” i cili solli një këngë epike me tone poetike, dedikuar gjuhës dhe rëndësisë së saj kulturore.
Rikthehet ‘Okarina e artë’, i ndahet kompozitorit Reshat Randobrava
Një nga momentet më emocionuese të edicionit të tretë të Festivalit të Këngës në RTK ishte ceremonia e dhënies së çmimit “Okarina e Artë”, një çmim i veçantë që vlerëson arritjet e jashtëzakonshme në fushën e muzikës dhe që u rikthye për herë të parë këtë vit, pasi dekada më parë ishte pjesë e Akordeve të Kosovës.
Këtë vit, ky çmim i takoi Reshat Randobravës, kompozitor i njohur nga Prizreni, i cili kishte një karrierë të gjatë dhe të pasur në muzikën zbavitëse, duke fituar shumë çmime brenda dhe jashtë Kosovës.
Randobrava njihej si një krijues me kritere shumë të larta, i cili punonte vetëm me këngëtarët më të mirë, ndërkohë që një nga këngët e tij më të njohura mbetet “Ti me sytë e zi”.
“Si ishte procesi i prodhimit të një kënge atëherë dhe ku dallon me procesin sot? Ishte ndryshe se tash sigurisht. Kemi pasur kushtet më të vështira, por kemi punuar më shumë. Falënderoj RTK-në për çmimin”, tha shkurt Randobrava tashmë në moshë të shtyrë, por edhe krenar me tërë atë çfarë ka bërë për muzikën shqiptare.
E drejtori i Festivalit të Këngës, Rilind Gërvalla duke ia dorëzuar çmimin kompozitorit të njohur tha se kjo është ‘Okarina e Artë’, që është rikthyer sivjet për herë të parë në festival. “E gëzofsh e të paqim shëndoshë baca Reshat. Kjo është Okarina e Artë e katërta me radhë që e pranon”, tha Gërvalla.
E kjo ceremoni u përcoll me duartrokitje të gjata nga publiku, duke shprehur respektin dhe mirënjohjen për kontributin e madh të kompozitorit Randobrava në muzikën shqiptare.
Vijojnë performancat e natës së dytë në Festivalin e Këngës në RTK
Pas interpretimit emocionues të Elton Dedës, skena e madhe e festivalit u mbush sërish me energji dhe ngjyra të ndryshme muzikore nga këngët konkurruese.
“A po m’sheh” nga Elmedinë Ramushi u rikthye në skenë, me ritëm të fuqishëm dhe energji të madhe, e kompozuar dhe shkruar nga vetë këngëtarja. Interpretimi i saj i gjallë dhe vokali i fortë, por edhe orkestra fantastike sollën atmosferë elektrizuese në sallë.
Më pas në skenë u ngjit Arsi Bako me “Rreze zjarr”, një rock super-energjik nga pianisti dhe kompozitori Gjergj Kaçinari. Me një performancë plot zjarr dhe ritëm të shpejtë, Arsi Bako bëri publikun të lëvizë dhe të ndjejë energjinë e rock-ut bashkëkohor, duke treguar se festivali është vend për eksperimentim dhe fuqizim të talentit të ri.
Santino De Bartolo me këngën “Naze Naze”, një këngë unike në gjuhën arbëreshe, dialekti toskë i shqipes i ruajtur ndër breza. Santino solli një performancë të veçantë që lidh traditën me skenën moderne, duke sjellë një tingull të rrallë dhe ekzotik për publikun shqiptar.
Më pas Vlera Kastrati me këngën “Nanë”, një këngë e ndjerë dhe dedikuar nënës së saj, me një interpretim të sinqertë dhe emocional. Vlera Kastrati arriti të prekë zemrat e të gjithëve me vokalin e saj të fuqishëm dhe emocionin që shpalosi në skenë.
Elton Deda: Ky festival është si një fëmijë që duhet të rritet shëndetshëm
Një nga momentet më të veçanta të natës së dytë në Festivalin e Këngës në RTK ishte dalja në skenë e artistit të madh shqiptar, Elton Deda.
Me karizmën dhe përvojën e tij të jashtëzakonshme, ai solli në skenë jo vetëm muzikë, por edhe reflektim mbi rëndësinë e këtij festivali për kulturën shqiptare.
“Prishtinën e kam si shtëpinë time. Kam ndejtur goxha në këtë qytet. Nuk është se mendoj që kam një emocion të veçantë, sepse gjithmonë është emocion i veçantë. Por ajo që po ndodh, pra që po këndoj në këtë festival të ri, është gjëja më e bukur. Ky është një fëmijë që duhet të rritet shëndetshëm dhe duhet rritur me muzikë të mirë. Të gjithë ne si muzikantë dhe si artistë duhet të bëjmë çfarë është e mundur që ky festival të shkojë sa më gjatë dhe të prodhojë muzikë sa më të mirë”, tha Elton Deda, para se te performonte me plotë elegancë këngën “Nuk kërkoj tjeter njeri”.
Nis nata e dytë e Festivalit të Këngës në RTK | LIVE
Pas një mbrëmjeje të parë plot emocione, energji dhe performanca të shkëlqyeshme, skena e madhe e Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin e Kosovës u rikthye sonte për natën e dytë.
Moderatorët e festivalit Rina Krasniqi dhe Dukagjin Podrimaj e hapën mbrëmjen me shumë entuziazëm, duke ndarë përshtypjet e tyre nga nata e parë dhe komentet pozitive që kanë mbërritur nga publiku.
“Sivjet cilësia e këngëve është më e mirë se kurrë”, tha Dugi, ndërsa Rina shtoi se “kjo skenë tashmë është dëshmuar si vend i denjë për artistë të kalitur”.
Në natën e dytë publiku në sallë dhe teleshikuesit do të kenë rastin t’i dëgjojë edhe njëherë të gjitha këngët konkurruese, të interpretuara nën shoqërimin e orkestrës.
Arjeta Palushaj hapi mbrëmjen me këngën “Andrra”, një kompozim modern e dinamik nga Eriona Rushiti, që ndërthur elemente të Drum’n’Bass-it me ndjeshmërinë e tekstit poetik. Me interpretimin e saj të sigurt dhe zërin karakteristik, Arjeta krijoi menjëherë atmosferë dhe energji pozitive në sallë.
Pas saj, skenën e mori Florent Abrashi me këngën “Unë dhe ti”, një rock baladë që riktheu nostalgjinë e viteve ’90. E kushtuar bashkëshortes së tij, kënga mbërtheu publikun me emocione të sinqerta, ndërsa interpretimi i fuqishëm i Florentit dhe drejtimi i orkestrës nga Alfred Kaçinari sollën një moment të ngrohtë dhe plot shpirt.
E treta në radhë ishte Vjosa Shehu, me këngën “Alo”, një krijim i Valon Gashit që trajton temën e fuqizimit të gruas përmes një mesazhi të fortë e bashkëkohor. Me prezencën e saj skenike dhe vokalin e veçantë, Vjosa e përcolli me shumë stil dhe emocion këtë këngë me frymë feministe, duke marrë duartrokitje të ngrohta nga publiku.
E mysafiri i parë special i mbrëmjes së sotme ishte Elton Deda, një prej emrave më të njohur të muzikës shqiptare, i cili u ngjit në skenë duke e madhështuar atë me performancën e tij.























