Zgjidhjet klimatike nga Finlanda: Biblioteka Oodi në zemër të familjes (5)
BKT
Lajme

Zgjidhjet klimatike nga Finlanda: Biblioteka Oodi në zemër të familjes (5)

Behare Bajraktari/RTK Green

Në sheshin Kansalaistori ndodhet një ndërtesë ngjyrë druri, nga poshtë dhe deri në gjysmën e saj, me një format shumë futuristik, si pamja e një anijeje që pret në port për t’u nisur për diku, ama për të nisur për në hapësirë. Kjo anije futuristike ka katet e sipërme të veshura me xham, ashtu si të gjitha ndërtesat përreth, të qelqta, të tejdukshme dhe transparente.

E bukur në thjeshtësinë e saj në çdo aspekt, sidomos ballkoni nga ana e majtë, përballë Parlamentit. Mbase është menduar që sa herë deputetët marrin vendime, të mos harrojnë se përballë kanë bibliotekën dhe familjet që shkojnë aty çdo ditë.

Znj. Heidi Johansson, menaxherja e komunikimit në Bibliotekën Oodi, na takoi në hyrjen e bibliotekës. Aty, në të majtë, ndodhet dyqani apo më saktë një mini-librari ku mund të blesh gjëra të ndryshme “alla finlandeze”. Finët kanë menduar për gjithçka, madje edhe për t’i lënë bagazhet me qira për shërbime ditore me çmimin prej €3.90 në Radical Storage, si zgjidhje për bagazhet. Kjo është për t’u ndihmuar që të mos ngarkohesh me bagazhet dhe gjërat që të rëndojnë, ndërsa eksploron qytetin plot jetë të Helsinkit.
Radical Storage ofron ruajtje bagazhesh të sigurta, të përballueshme dhe të përshtatshme në Bibliotekën Qendrore të Helsinkit, Oodi. Qytet i thjeshtë, i rregullt dhe me orientim shumë të saktë.

Pra, mikpritësja, zonja Johansson, kishte një xhaketë të gjatë me lule të mëdha, sikur të ishte dalë nga një kopësht lulesh. Me gjasë ishte e markës ikonike finlandeze Marimekko, e njohur për dizajnet e saj të guximshme, shumëngjyrëshe dhe unike të tekstileve dhe veshjeve, e themeluar në vitin 1951. Finlandezët e duan këtë dizajn sepse është prodhim vendor, ashtu siç veprojnë me çdo prodhim vendor pavarësisht çmimit. Përveç dizajneve me lule, finët i preferojnë edhe bluzat me vija, madje kur shoh dikë në Prishtinë me dizajne me lule të mëdha, them me vete: “Mbase e ka blerë në Finlandë!”

Heidi Johansson na tregoi se Biblioteka Oodi është krijuar që secili të ketë mundësi të vijë brenda, për shembull për të ndjekur kurse të ndryshme falas. Çdo hapësirë është e ndarë në dhoma prej xhami, gjithçka transparente. Pamë një grua të moshuar që po zhvillonte shkathtësitë teknologjike, pastaj në sallën tjetër ishte zona për videolojëra, ku vijnë fëmijët së bashku me familjarët e tyre. Kjo dhomë është krijuar sidomos për ata që nuk kanë videolojëra në shtëpi.

Më tutje po ecnim dhe ja tek ishte dhoma e instrumenteve muzikore, studioja e regjistrimeve për audio dhe dizajne. Në një kënd tjetër ishte zona ku mund të stamposh bluza falas, të përdorësh makinën qepëse (por duhet të dish të qepësh). Thjesht një vend i menduar mirë për ata që duan të mos ndjehen vetëm dhe të mos ndjehen të lënë anash, pavarësisht nëse kanë apo nuk kanë para.

Në një kat më lart ndodhet një bibliotekë me shumë libra. Për të bartur librat kanë angazhuar robotin ‘bukurosh’, i cili ua kursen kohën dhe lodhjen punonjësve. Pak më tutje është këndi i familjeve me fëmijë të vegjël, ku fëmijët luajnë në një zonë shumë të bukur, të qetë, me dizajne prej druri dhe hapësira për nënat gjidhënëse.

Një kafene shumë e bukur ndodhet gjithashtu përballë saj, në këndin e ngritur të ‘anijes’, ku ulen të rinjtë dhe të gjitha moshat, lexojnë libra, pijnë kafe dhe shijojnë pamjen e bukur përtej xhamave. Në anën e sipërme të xhamave janë të dukshme pika uji, që janë vendosur për të ulur fuqinë direkte të rrezeve të diellit, sepse, e dini, xhami tërheq nxehtësinë.

Sigurisht ju po pyeteni pse kaq shumë ka diell në Finlandë?

Po, po, edhe atje, sidomos verës, dielli nuk perëndon deri në orën 10 të natës. Ashtu siç është forma e jashtme e ndërtesës, si një anije e madhe, si Titanic, edhe brenda, në të dy krahët, ka kënde të larta. Ashtu ishte edhe këndi i familjeve me fëmijë, ndërsa në krahun tjetër ishte këndi shumë i bukur ku rrinin kryesisht të rinjtë, të ulur në kokërrshilte. Aty ku rrinin prindërit me familje, sigurisht që nuk lejohej fotografimi. Pamja dhe atmosfera ishin shumë relaksuese; do të doje të rrije për shumë kohë aty, mbase të humbisje në mesin e tregimeve të bukura, librave dhe historive të vërteta dashurie.

Në disa shtylla ku mbahej çatia, ishin shënuar ndalimet për rrëshqitje apo skateboard. Me gjasë rinia ka bërë aventura duke përdorur ato pjerrësi, si në skijim. Rinia, gjithandej, mendjehapur!

Sidoqoftë, Biblioteka Qendrore e Helsinkit, Oodi, është një vend takimi i gjallë në sheshin Kansalaistori, pikërisht në zemër të Helsinkut. Është një nga 38 degët e Bibliotekës së Qytetit të Helsinkit dhe pjesë e rrjetit të bibliotekave Helmet.

Oodi plotëson qendrën kulturore dhe mediatike të formuar nga Qendra Muzikore e Helsinkit, Salla Finlandia, Shtëpia Sanoma dhe Muzeu i Artit Bashkëkohor Kiasma. Oodi është një hapësirë publike urbane jo-komerciale, e hapur për të gjithë, pikërisht përballë ndërtesës së Parlamentit.

Jokomercializmi është i njohur në Finlandë, dhe kjo është ajo që mungon edhe në vende të vogla si Kosova, ku komuniteti dhe familjet vuajnë për hapësira ku nuk shihen si euro apo dollarë, por si njerëz.

Pra, në sheshin Kansalaistori, ku ndodhet Oodi, është zbukuruar me gjërat më thelbësore: parkun, detin, libraritë, Parlamentin, hotelet, qendrat tregtare dhe stacionin kryesor në qendër të Helsinkit (Helsingin päärautatieasema), i cili është qendra kryesore e qytetit për udhëtimet hekurudhore në distanca të gjata dhe ato për në punë.

Na thanë se ky shesh bëhet përrallor për Krishtlindje. Mbase do të kemi rastin ta përjetojmë magjinë e Krishtlindjes një herë tjetër dhe të magjepsim nga thjeshtësia dhe drita që vjen nga aty.

Thellësinë e Helsinkit e përjetojmë në shumë aspekte, si dija, teknologjia, natyra, por edhe nëntoka, ku ndodhen linja hekurudhore me terminale të mëdha, si Kamppi, me një vendndodhje qendrore në Helsinki që përfshin një terminal të madh autobusësh për distanca të gjata, një stacion metroje dhe qendrën tregtare. Terminali i autobusëve Kamppi është më i madhi në Finlandë dhe një qendër e rëndësishme për transportin lokal dhe atë në distanca të gjata.

Nga ana tjetër, qendra tregtare Forum është shumë afër Stacionit Qendror Hekurudhor të Helsinkit, rreth 5 minuta larg në këmbë. Mund të hyni edhe direkt nga stacioni nëpërmjet një kalimi nëntokësor. Mund të shkoni në Forum duke ndjekur tabelat nëntokësore që lidhen me stacionin.

Një lidhje nëntokësore, sikur zemra dhe arteriet e saj që përqajnë gjakun, kështu duket lidhja midis pjesëve të kryeqytetit.

Sheshi është pjesërisht i shtruar me pllaka dhe në verë është veçanërisht i popullarizuar nga skateboarderët. Ka shumë stola për t'u ulur, për t'u çlodhur dhe për të parë të gjitha aktivitetet përreth, për të pushuar nga ‘zhurma’ e finlandezëve. Sheshi bëhet edhe më i bukur, sepse afër bibliotekës Oodi ndodhet një hapësirë që ofron mundësi për lloje të ndryshme aktivitetesh sportive, për shembull basketboll. Zona e basketbollit dukej për mrekulli dhe krijonte imagjinatë, duke i parë edhe basketbollistët e Prishtinës duke luajtur aty dhe duke ndarë ëndrrat për të ardhmen.

Po në atë pjesë ndodhet edhe shtegu për biçikleta. Kansalaistori shërben gjithashtu si vend për ngjarje të ndryshme, si festimet e Vitit të Ri, festivali i ushqimit "Shija e Helsinkit" dhe Kinemaja Piknik gjatë Festivalit vjetor të Helsinkit.

Madje, kur hyn të lexosh më shumë për Helsinkin, gjen faqen “My Helsinki”, ku ftohen gazetarët të shkruajnë dhe të raportojnë lirisht, drejtë dhe pa frikë pse ky është vendi më i lumtur në botë, dhe sfidohen që të mos bien dakord.

Nesër vazhdimi: Zgjidhjet klimatike nga Finlanda: Ushqimet diellore e kthejnë njeriun në natyrë (6)


MË SHUME NGA Lajme