Kurti në Mitrovicë: Fituam bashkë me qytetarët
BKT
Lajme

Kurti në Mitrovicë: Fituam bashkë me qytetarët

B.H./RTKlive

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti pasi mori pjesë në festën e fitores në Fushë Kosovë e Obiliq shkoi edhe në Mitrovicë, ku së bashku me Faton Pecin dhe qytetarët festuan fitoren në këtë komunë.  

“Përveç se i kemi mbajtur Podujevën, Gjilanin, Kamenicën dhe Shtimen, ku kemi qeverisur në katër vitet e kaluara, tani kemi fituar edhe Fushë Kosovën, Obiliqin dhe Mitrovicën. Faleminderit gjithë qytetarëve. Kjo është fitorja juaj. Faleminderit aktivistëve që kanë punuar e nuk janë ndalur asnjëherë”, tha Kurti në festën e fitores në Mitrovicë.

Ai tutje ka thënë se fitoren në Mitrovicë e arritën përkundër se të gjithë të tjerët u bënë bashkë.

“Jo vetëm që kemi fituar bashkë me qytetarët, por ata kanë humbur duke u bërë krejt bashkë kundrejt neve”, shtoi ai.

Ndërkaq, kryetari i ri i Mitrovicës, Faton Peci i falënderoi qytetarët për mbështetjen. “Ju dua fort. Mitrovica është zemra e Kosovës, e në zemër të Mitrovicës sa herë është nevoja e kemi Albin Kurtin”, tha ai.

Kurti: Kemi fituar në Gjilan, Mitrovicë, Obiliq e Fushë Kosovë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka konfirmuar se krahas Gjilanit, në raundin e balotazhit kanë fituar edhe në Mitrovicë, Fushë Kosovë dhe Obiliq.

Ai këtë e ka vlerësuar këtë si sukses të partisë së tij, por ka pranuar se kanë synuar edhe më shumë.

“Së pari më lejoni t’i falënderoj të gjithë qytetarët që e shfrytëzuan të drejtën për të zgjedhur në mënyrë demokratike kryetarët e komunave në 18 sosh në këtë raund të dytë. Lëvizja Vetëvendosje është hera e katërt që merr pjesë në zgjedhje lokale. Herën e parë në vitin 2013 kemi fituar një komunë, herën e dytë në vitin 2017 kemi fituar 3 komuna, herën e tretë në vitin 2021 kemi fituar 4 komuna dhe në bazë të të dhënave që i kemi marrë nga komisionerët tanë kësaj radhe kemi fituar në 7 komuna. Ky është një sukses i LVV-së. Natyrisht se kemi synuar edhe më shumë se kaq”, tha Kurti para medieve pas daljes nga selia e LVV-së në Prishtinë.

Ai tutje përgëzoj katër kryetarët e komunave që kanë qeverisur në katërvjeçarin e kaluar në Podujevë, Shtime, Kamenicë dhe Gjilani, derisa ka përgëzuar kandidatët e LVV-së që ishin në balotazh, pasi sipas tij të gjithë të tjerët janë bërë bashkë kundër këtij subjekti politik.

“Përveç kësaj është e qartë se kemi fituar edhe në Mitrovicë dhe kemi fituar edhe në Fushë Kosovë e Obiliq. I falënderoj kandidatët tanë, ekipet e tyre, shtabet zgjedhore dhe aktivistët tanë të cilët kanë pasur një betejë të jashtëzakonshme meqenëse në të gjitha këto raste të gjithët të tjerët janë bashkuar kundër LVV-së. Pra, LVV është ballafaquar me të përbashkëtën e tyre, e cila është një situatë e paprecedentë në situatën politike të Kosovës, andaj ky është një sukses i Vetëvendosjes dhe i qytetarëve. Po i presim rezultatet ende nga komunat e tjera. Me siguri që do t’u drejtohemi sërish kur t’i marrim ato, por  tash më duhet të shkoj me nxitim në tubimin festiv së pari në Fushë Kosovë, pastaj në Kastriot, e mandej natyrisht në Mitrovicë”, ka nënvizuar Kurti.


MË SHUME NGA Lajme