Sulm me armë pranë Rinasit, një i vrarë dhe një i plagosur
BKT
Shqipëri

Sulm me armë pranë Rinasit, një i vrarë dhe një i plagosur

RTSH

Një sulm me armë në rrethrrotullimin e Rinasit në Tiranë ka lënë një të vrarë dhe një të plagosur. Viktima është identifikuar si G.D, rreth 40 vjeç, ndërsa i plagosuri (M.Sh., rreth 47 vjeç) ndodhet në spital në gjendje të rëndë.

Sipas informacioneve nga vendngjarja, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti tip Mercedes-Benz S-Class ngjyrë e bardhë, duke shkaktuar 1 të vrarë dhe 1 të plagosur, të dy duke udhëtuar me të njëjtin mjet.

Viktimë ka mbetur Gilmando Dani rreth 40 vjeç, një personazh i njohur dhe me precedent të mëparshëm penal. Sa i përket të plagosurit, ai është M.Sh. rreth 47 vjeç dhe ndodhet në spital në gjendje të rëndë shëndetësore.

Sipas RTSH24, viktima Gilmando Dani dhe i plagosuri M.Sh. sapo ishin kthyer nga Barcelona drejt Tiranës. Automjetin me të cilin po udhëtonin e kishin lënë në parkingun e aeroportit. Mjeti drejtohej nga M.Sh., i cili mbeti i plagosur rëndë gjatë atentatit dhe ndodhet në spital në gjendje kritike për jetën.

Sipas RTSH24, autorët e kanë pritur makinën e viktimës në afërsi të aeroportit të Rinasit, duke ndjekur lëvizjet e tyre që prej momentit të daljes nga parkingu.

Automjeti tip “Mercedes-Benz S-Class” ku udhëtonte Dani dhe miku i tij dhe makina ku ishin atentatorët  kanë lëvizur paralel për disa metra dhe në një moment, nga makina e autorëve është hapur zjarr me breshëri automatiku, në drejtim të automjetit të Danit. Automjeti i viktimës ka vijuar të lëvizë për disa metra, përpara se të ndalonte si pasojë e të shtënave.

Në atë moment, njëri prej autorëve, i maskuar dhe me kapele, ka zbritur nga makina, është afruar pranë automjetit të Danit dhe ka qëlluar disa herë nga afër me pistoletë, për t’u siguruar që ta eliminonte përfundimisht viktimën.

Pas ekzekutimit, autori është kthyer me shpejtësi në automjetin e grupit dhe janë larguar në drejtim të Fushë-Krujës, ku më vonë është gjetur një makinë e djegur tip “Toyota”në fshatin Halil, që dyshohet të jetë përdorur nga atentatorët.

Në brendësi të mjetit janë gjetur katër armë zjarri, që dyshohet të jenë përdorur gjatë atentatit në Rinas. Armët janë sekuestruar si prova materiale dhe do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore për ekspertizë balistike, me qëllim përcaktimin e llojit të armëve dhe nëse janë përdorur në ngjarje të tjera kriminale. Mësohet se plumbat gjatë atentatit kanë prekur edhe një godinë hoteli në afërsi të vendngjarjes.

Njëkohësisht kanë nisur hetimet për të identifikuar dhe kapur autorin/ët e atentatit, si dhe për të zbardhur motivet.

Sipas burimeve policore, në këtë atentat dyshohet të kenë qenë të përfshirë edhe persona të tjerë. Këta të fundit, përmes dy makinave të tjera, dyshohet të kenë marrë pjesë në atentat gjithashtu, por do të jenë hetimet që do të zbardhin të gjithë dinamikën.

Ndërkohë grupi hetimor do të shqyrtojë pamjet e kamerave të sigurisë në zonë për të ndërtuar dinamikën e atentatit të rëndë. Gilmando Dani u kishte shpëtuar më parë dy atentateve, në vitet 2011 dhe 2015.  


MË SHUME NGA Shqipëri