Behrami: Zgjedhjet e jashtëzakonshme mundësi për të dalë nga kriza politike
BKT
Lajme

Behrami: Zgjedhjet e jashtëzakonshme mundësi për të dalë nga kriza politike

M.M./ RTKlive

(E plotësuar) Artan Behrami, në RTK Prime, foli edhe për zgjedhjet e jashtëzakonshme që sipas tij PDK është e gatshme për të marrë pjesë, e ku, siç u shpreh ai këto janë mundësi për të dalë nga një ngërç politik i projektuar nga LVV dhe Kurti.

Ai shtoi se PDK ka qenë e gatshme për bashkëpunim, por LVV ishte ajo që ka krijuar drama e situata që kanë ndikuar shtyrje të proceseve.

Ndërkaq për votimin e ‘Qeverisë Konjufca 1’, Behrami tha se LVV ka bërë një veprim që dihet se paraprakisht opozita nuk do ta bëjë.

Për mos-votimin e Konjufcës për kryeministër, Behrami sqaroi se në asnjë vend demokratik nuk zgjidhen me ofertën: ‘merr ose lëre’.

“Kjo është shenjë që Kurti nuk i respekton rregullat e demokracisë”, u shpreh Behrami.

Për votimin e buxhetit të vitit 2026, Behrami tha se është, të thuash, sikur të kërkosh të votosh buxhetin e vitit 2010, sepse, shtoi ai, Kuvendi ende nuk ka ardhur në atë stad që të votohet buxheti, sepse ende nuk ka kuvend të ri.

Behrami në RTK:Dorëheqja e Krasniqit, akt përgjegjësie dhe kulturë politike

Artan Behrami, deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, në RTK ka diskutuar për dorëheqjen e Memli Krasniqit nga posti i kryetarit të kësaj partie, për procesin e votimit në Mitrovicën e Jugut dhe për çështje të tjera.

Dorëheqja e Memli Krasniqit nga posti i kryetarit të PDK-së, ende pa u certifikuar zgjedhjet komunale, sipas Behramit, është pritur me ndjenja të përziera. Ai tha se Krasniqi e ka udhëhequr PDK-në tash e katër vjet në sfida jo të  lehta, në rrethanat në të cilën gjendemi edhe si parti, edhe si vend.

Sipas tij, dhimbjen për mungesën e dy liderëve të PDK-së, Thaçi e Veseli, Krasniqi ka arritur ta shndërrojë në forcë.

Ai nënvizoi se vendimi i Krasniqit për dorëheqje nga PDK është respektuar.

“Krasniqi ka kallëzuar kulturë politike , që tashmë është etabluar në PDK dhe partia jonë po sjellë dy modele që shërbejnë si frymëzim edhe për parti të tjera politike”, tha Behrami, në RTKPrime.

Behrami mohoi idenë se shkaku i dorëheqjes së Krasniqit nga posti i kryetarit ka ardhur si pasojë e humbjes në Drenas dhe në Mitrovicë të Jugut.

Ai bëri të ditur se Krasniqi mbështet Bedri Hamzën për kryetar të PDK-së. Sipas Behramit rrjedha logjike e ngjarjeve të çon në këtë pikë.

“Praktika perëndimore dha ajo në Evropë, ka dëshmuar se ilaçi më i mirë kundër populizmit është kompetenca. Dhe nëse ka një njeri kompetent në Kosovë, që ka trashëgimi në shtet-ndërtim, në forcim të shtetit.. në zhvillimin ekonomik të Kosovës, është Bedri Hamza”, tha Behrami.

Tutje, Behrami përmendi konventën e PDK-së, që sipas tij do të bashkohen të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e kësaj partie, përmes të cilës, sikundër tha ai, do të krijohet një front i ri ku do të sjellë fitoren e PDK-së në zgjedhjet e ardhshme.

“Pacifizmi i PDK-së përballë akuzave se PDK është bashkë me Listën Serbe dhe me Serbinë, duhet të përfundojë”, tha Behrami.

Behrami tutje ka folur për krijimin e komisioneve në Kuvend, më konkretisht atë për Buxhet e Financa. Ai shtoi se krijimi i komisioneve është mekanizëm për blerje të kohës.

Krijimi i komisioneve parlamentare nuk është as për RTK-në, as për ato 700 milionë eurove e as për çështje të tjera. Krijimi i komisioneve është për të blerë kohë kur edhe presidentes i përshtatet për të hyrë në LVV në kohën e zgjedhjeve presidenciale”, tha Behrami.

Behrami: Në Mitrovicë është përdorur ‘treni bullgar’

Behrami ka folur edhe për procesin e votimit në Mitrovicë të Jugut, që sipas tij, është shoqëruar me probleme të theksuara duke shkaktuar keqpërdorim të votave.

Sipas Behramit, Mitrovica është rast i çuditshëm. Ai vuri në pah se dalja në balotazh atje ka qenë më e larta sesa në komunat tjera, pastaj raste të tjera.

Ai theksoi se në votimet në Mitrovicë është përdorur ‘treni bullgar’.

Sipas tij, mjafton një mospërputhej në kodin serik dhe vendi duhet të shkojë në zgjedhje.


MË SHUME NGA Lajme