Shqipëria bën histori: për herë të parë në`play off` të Botërorit
Uran Krasniqi / RTKLive
(E plotësuar, 22: 41)Shqipëria ka arritur një sukses historik, duke siguruar për herë të parë pjesëmarrjen në “play off” të kualifikimeve për Botërorin 2026.
Kjo pas pas fitores minimale ndaj Andorrës, me rezultat 1-0.
Në ndeshjen e zhvilluar në “Estadi de la FAF”, kuqezinjtë e kanë realizuar golin vendimtar në minutën e gjashtëdhjetë e shtatë përmes Kristjan Asllanit.
Më herët, në fund të pjesës së parë, Berat Gjimshiti e ka goditur shtyllën, duke qenë shumë afër epërsisë.
Pas kësaj fitore, Shqipëria renditet e dyta në grup me katër pikë më shumë se Serbia, e cila është në vendin e tretë. Edhe nëse Shqipëria humb ndeshjen e ardhshme kundër Anglisë dhe Serbia fiton ndaj Letonisë, diferenca e pikëve mbetet e tillë që Serbia nuk mund ta parakalojë më skuadrën "kuqezi". Grupi kryesohet nga Anglia.
Në takimin tjetër të grupit, Anglia e ka mposhtur Serbinë me rezultat 1-0, me golat e Saka në minutën e njëzet e tetë dhe me golin e Eze në kohën shtesë.
Kjo është hera e dytë që Shqipëria dhe Serbia gjenden në të njëjtin grup kualifikues, pas atij për Evropianin 2016, dhe në të dy rastet Shqipëria ka përfunduar para Serbisë.
Shqipëria dominon, por s`shënon ndaj Andorrës
Pjesa e parë e ndeshjes mes Andorrës dhe Shqipërisë është mbyllur me rezultat 0-0.
"Kuqezinjtë" e kanë dominuar lojën gjatë gjithë pjesës së parë, por nuk kanë arritur ta gjejnë golin.
Rastin më të mirë për Shqipërinë e ka pasur mbrojtësi Berat Gjimshiti në minutat shtesë, kur goditja e tij është ndalur nga shtylla.
Të dy skuadrat kanë edhe dyzet e pesë minuta në dispozicion për të kërkuar ndryshimin e rezultatit.
Në ndeshjen tjetër të Grupit, Anglia është në avantazh ndaj Serbisë pas pjesës së parë, me golin e shënuar nga Saka në minutën e njëzet e tetë.
Nëse rezultatet mbeten kështu deri në fund, Shqipëria do të kishte dymbëdhjetë pikë, ndërsa Serbia dhjetë. Megjithatë, në ndeshjet e ardhshme, Shqipëria pret Anglinë dhe Serbia Letoninë, ndeshje që mund të ndryshojnë renditjen dhe të rrezikojnë pozitën e Shqipërisë për “play off” drejt Botërorit. Grupi kryesohet nga Anglia, e cila e ka siguruar kualifikimin.























