Gjonbalaj: Kosova nuk është inferiore përballë Sllovenisë
Uran Krasniqi/RTKLive
Trajneri i futbollit, Malësor Gjonbalaj, ka vlerësuar se Kosova e ka cilësinë për t’i bërë ballë Sllovenisë në ndeshjen e sontme.
Ai ka qenë i ftuar në emisionin “Dardanët” për ta analizuar ndeshjen, e vlefshme për kualifikimet e Botërorit 2026, një përballje që zhvillohet sonte në Lubjanë dhe transmetohet drejtpërdrejt nga RTK. Kjo ndeshje ka rëndësi të madhe për “Dardanët”, pasi një barazim do t’i siguronte Kosovës vendin e dytë në grup, duke i dhënë mundësi që kualifikimin për Kupën e Botës ta kërkojë përmes barazhit. Në të njëjtën kohë sonte luhet edhe takimi tjetër i grupit, Zvicër – Suedi, rezultati i të cilit mund të ndikojë në renditjen përfundimtare.
“Ne nuk jemi aspak inferiorë, kemi futbollistë cilësorë. Pres lojë jashtëzakonisht të matur të ekipit tonë. Sot kemi një formacion më të konsoliduar dhe edhe banka jonë rezervë ka cilësi. Trajneri i Sllovenisë po duket që po na respekton”, ka thënë Gjonbalaj.
Ndërkohë, trajneri Ramiz Krasniqi, ka theksuar rëndësinë e disiplinës të lojtarëve në ndeshje.
“Sllovenia është një skuadër e papërshtatshme për neve. Primare duhet të jenë angazhimi, disiplina taktike dhe zbatimi i detyrave, ku pastaj vjen rezultati”, është shprehur Krasniqi.























