Ademi pas fitores ndaj Sllovenisë: Historia vazhdon
Uran Krasniqi/RTKLive
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, e ka përshkruar momentin e futjes së Kosovës në barazh për të provuar kualifikimin për në Kupën e Botës si një arritje të jashtëzakonshme.
Kombëtarja e Kosovës ka bërë histori në kualifikimet për Kupën e Botës 2026, duke siguruar për herë të parë vendin e barazhit. Kjo pas fitores me rezultat 2:0 ndaj ndaj Sllovenisë në ndeshjen e zhvilluar të shtunën në Ljubljanë.
“Historia vazhdon, jemi në ‘Play-Off’ të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026! Ky është një sukses i jashtëzakonshëm për Kombëtaren tonë, një objektiv për të cilin pakkush besoi në fillim të këtij cikli, por që djemtë tanë e realizuan me punë, përkushtim dhe besim të palëkundur”, ka thënë ai.
Ademi ka lavdëruar futbollistët dhe stafin teknik, duke përmendur emra si Aro Muriç, Vedat Muriqi, Fisnik Asllani, Milot Rashica, Florent Muslija, si dhe të gjithë lojtarët e tjerë që kontribuuan për këtë sukses. “Krenar me futbollistët tanë, me stafin e Kombëtares në krye me strategun Franco Foda dhe me çdo mbështetës dardan, në Kosovë dhe kudo në botë” ka shtuar ai.
Ai gjithashtu ka falënderuar të gjithë ata që kanë qenë pjesë e Kombëtares gjatë këtij rrugëtimi, duke theksuar se ndeshja ndaj Sllovenisë përbën një tjetër faqe të rëndësishme në historinë e futbollit kosovar: “Rrugëtimi ynë drejt ëndrrës së madhe vazhdon, me vlerat, me karakterin dhe me shpirtin luftarak që na identifikon. Nëntori ka qenë gjithmonë muaj i ngjarjeve historike për popullin tonë dhe sot ne shkruam një tjetër faqe të rëndësishme. Forca Kosovë!”, është shprehur Ademi.























