Spiropali: Shqipëria me mision të ri në zemër të BE-së
V.Th / RTKLive
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, e Shqipërisë Elisa Spiropali, ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook se është përuruar godina e re e Misionit të Shqipërisë pranë Bashkimit Evropian në Bruksel.
Në ceremoninë zyrtare të hapjes morën pjesë edhe Kryeministri Edi Rama si dhe Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos. Spiropali e përshkroi selinë e re diplomatike si “shtëpinë e re të misionit tonë në BE”, duke e cilësuar inaugurimin e saj një moment të rëndësishëm për përfaqësimin e Shqipërisë në institucionet evropiane.
Ministrja theksoi se vendi ka hyrë tashmë në një etapë të re të procesit të integrimit, pas hapjes së të gjithë kapitujve të negociatave. Sipas saj, ky zhvillim jo vetëm e afron Shqipërinë me objektivin e anëtarësimit, por edhe e vendos përpara sfidave të reja.
Në mesazhin e saj, Spiropali vlerësoi rolin e stafit të Misionit të Shqipërisë në BE, duke e cilësuar atë “fytyrën e Shqipërisë në zemër të Evropës” dhe një element thelbësor në procesin e integrimit.
Përurimi i godinës së re shënon një hap të rëndësishëm në një moment historik për Shqipërinë, e cila tashmë po vijon fazën më të thelluar të negociatave me Bashkimin Evropian.























