Shqipëria hap të gjithë kapitujt ne negociatat e anëtarësimit
BKT
Shqipëri

Shqipëria hap të gjithë kapitujt ne negociatat e anëtarësimit

Gjeraqina Tuhina / RTK-Bruksel

Për pak më shumë se një vit, Shqipëria ia doli të hapë të gjithë grupkapitujt në negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian. Në këtë mënyrë, vendi forcoi pozicionin e dytë në renditjen e shteteve që presin në radhë për t’u anëtarësuar.

Për zyrtarët evropianë, kjo është një ditë e veçantë si për Shqipërinë ashtu edhe për vetë Bashkimin Evropian.

“Nëse Shqipëria vazhdon në këtë mënyrë, me të njëjtin fokus, ritëm dhe cilësi siç e shohim tani, jam e sigurt se anëtarësimi do të arrihet në një të ardhme shumë të afërt. Shqipëria i përket familjes evropiane”, ka thënë Marie BJERRE, ministre daneze për Çështje Evropiane.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, mori pjesë në konferencën ndërqeveritare ku u shënua hapja e të gjithë kapitujve. Ai vlerësoi se ajo që vetëm një vit më parë dukej si një ëndërr, tani është shndërruar në një plan konkret pune të përditshme.

“Sot Shqipëria del nga kjo fazë e parë me krenari dhe me një ndjenjë edhe më të madhe përgjegjësie. Ne nuk përfaqësojmë këtu një parti politike apo thjesht një pikëpamje politike. Ne përfaqësojmë këtu një komb të tërë, që mbështet, si askush tjetër, Bashkimin Evropian dhe anëtarësimin në BE”, ka thënë Rama.

Shqipëria nisi këtë rrugëtim në fund të shtatorit të vitit të kaluar dhe, me këtë ritëm rekord, së bashku me Malin e Zi konsiderohet lidere në procesin e anëtarësimit.

Autoritetet në Tiranë kanë tani përpara një punë shumë më sfiduese, sepse mbyllja e kapitujve është shumë më e vështirë sesa hapja e tyre. Megjithatë, anëtarësimi i plotë në BE deri në fund të kësaj dekade konsiderohet ende një skenar i mundur, nëse vazhdohet të punohet me të njëjtin përkushtim.


MË SHUME NGA Shqipëri