Neymar në Botërorin 2026? Kjo është përgjigja e Ancelottit
F.B/RTKLive
Kur emri është Neymar, lajmi bën bujë dhe dominon emisionet sportive.
Pikërisht kjo po ndodh aktualisht në Brazil, pak më shumë se gjashtë muaj para fillimit të Kupës së Botës 2026.
Superylli brazilian u rikthye në fushë për 90 minuta të plota në fitoren 1–0 të Santos ndaj Palmeiras fundjavën e kaluar, duke ringjallur shpresat e tifozëve që presin ta shohin sërish në fanellën e përfaqësueses së Brazilit.
Trajneri i Seleçaos, Carlo Ancelotti, ka lënë të hapur mundësinë e përfshirjes së Neymarit në listën finale për Botëror.
“Neymar është në listën e lojtarëve që mund të marrin pjesë në Kupën e Botës. Tani kemi në dispozicion gjashtë muaj për të hartuar listën përfundimtare. Ne vetëm duhet ta vëzhgojmë, njësoj si lojtarët e tjerë”, ka deklaruar Ancelotti.
Tekniku italian ka theksuar se rikuperimi i Neymarit nga lëndimi është një lajm pozitiv, por forma fizike do të jetë vendimtare:
“Për fat të mirë, ai u rikuperua nga lëndimi. Tani ka gjashtë muaj për të arritur formën. Kampionati brazilian përfundon më 7 dhjetor, pastaj vijnë festat, dhe kur të rifillojë kampionati, ai do të ketë kohë të demonstrojë cilësitë dhe gjendjen e tij fizike.”
Me rikthimin e tij në fushë dhe me sytë e Ancelottit të drejtuar nga performancat e tij, Neymar pritet të jetë një nga emrat më të diskutuar në muajt e ardhshëm, teksa Brazili përgatitet për sfidën më të madhe – Kupën e Botës 2026.























