Zgjerohet Task Forca e Migracionit
RTKlive
Lufta kundër emigracionit të paligjshëm dhe krimit të organizuar merr një dimension të ri rajonal. Duke nisur nga sot, Task Forca e Përbashkët për Migracionin, e krijuar fillimisht mes Britanisë së Madhe, Shqipërisë dhe Kosovës, është zgjeruar zyrtarisht me dy anëtarë të rinj: Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Kolonel Gazmend Hoxha, mori pjesë sot në Tiranë në takimin e "Task Force"-së së përbashkët për migracionin midis Britanisë së Madhe, Shqipërisë dhe Kosovës. Në këtë nismë rajonale marrin pjesë edhe Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.
Drejtori Hoxha e vlerësoi shumë këtë lidhje të re dhe i dha mbështetje të plotë, duke konfirmuar se shkëmbimi i të dhënave dhe bashkëpunimi i ngushtë janë thelbësore për të luftuar sfidat e migracionit dhe sfidat tjera në interes të përbashkët.
Ky zgjerim, sipas njoftimit për shtyp të policisë, krijon një front operacional të konsoliduar përballë fenomeneve shqetësuese të kohës, “duke u fokusuar jo vetëm te lëvizjet migratore ilegale, por edhe te gjurmimi dhe goditja e aseteve të krimit”.
Zgjerohet pjesëmarrja në Task Forcën e Përbashkët për Migracionin mes Britanisë së Madhe, Shqipërisë dhe Kosovës, nga sot, pjesë e saj janë edhe vendet e rajonit, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.
Gjatë takimit që zyrtarizoi këtë bashkëpunim, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shqipërisë, Ilir Proda, e cilësoi pjesëmarrjen e vendeve të rajonit si një mundësi reale për rezultate konkrete dhe jo thjesht si një procedurë diplomatike.
“Prania juaj sot këtu është më shumë se protokoll – është një mundësi reale për të hapur një kapitull të ri bashkëpunimi rajonal,” u shpreh Proda.
Ai theksoi gatishmërinë e Shqipërisë për të marrë rol lider në ndarjen e eksperiencës së fituar nga bashkëpunimi i deritanishëm me palën britanike.
“Ne jemi të gatshëm të ndajmë modelet tona operative, të ofrojmë eksperiencën e Task-Forcës sonë dhe të ndërtojmë mekanizma të përbashkët për parandalim, verifikim dhe goditje të krimit ndërkufitar,” tha ai.
Strategjia e re, teknologji dhe operacione të sinkronizuara
Për të pasur sukses në këtë luftë të përbashkët, Proda prezantoi një qasje të bazuar në pesë shtylla kryesore operacionale:
Shkëmbim informacioni në kohë reale.
Verifikime më të shpejta të personave të dyshuar.
Operacione të sinkronizuara mes policive të pesë shteteve.
Standarde të unifikuara pune.
Përdorim i teknologjive moderne për monitorim dhe hetim.
Rezultatet dhe angazhimi
Në mbyllje të fjalës së tij, Proda nënvizoi se Shqipëria mbetet një partner i besueshëm për aleatët ndërkombëtarë, duke sjellë si argument suksesin e arritur deri tani në frenimin e gomoneve drejt Britanisë.
“Rezultatet e deritanishme tregojnë se kur punojmë së bashku, migracioni i paligjshëm, rrjetet kriminale dhe trafiku ndërkufitar mund të frenohen në mënyrë të ndjeshme,” përfundoi Proda.























