Analistët për zgjedhjet e 28 dhjetorit: Abstenimi nuk zgjidh krizën
BKT
Lajme

Analistët për zgjedhjet e 28 dhjetorit: Abstenimi nuk zgjidh krizën

V.Th & K.K / RTKLive

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka shpërnda Kuvendin dhe ka caktuar 28 dhjetorin si datë për zgjedhjet e jashtëzakonshme e që ka theksuar se kjo datë është më e përshtatshmja për mbajtjen e zgjedhjeve.

Rreth kësaj dhe krizës politike që tash e nëntë muaj që është në vend, Profesori Bujar Dugolli ka deklaruar në emisionin “Prime” në RTK se vendi po përballet me një papërgjegjësi të paparë të klasës politike, e cila, sipas tij, ka humbur një vit të tërë duke u përplasur mes vete dhe duke mos treguar gatishmëri për bashkëpunim.

Ai tha se legjislatura është konstituuar, por për tetë muaj deputetët kanë marrë paga “pa bërë asgjë”, duke shënuar rekorde negative, pasi nuk është miratuar asnjë ligj, ndërsa shumica ka dështuar të krijojë qeverinë, ndërsa opozita “nuk ka vizion dhe nuk e di çfarë do”.

Sipas Dugollit, kjo sjellje ka dëmtuar interesin e shtetit, projektet dhe marrëveshjet ndërkombëtare me leverdi ekonomike, përfshirë fondin e zgjerimit dhe kontratat me Bankën Botërore, si dhe ka prekur institucionet e pavarura, ndër to edhe Radio Televizionin e Kosovës dhe komunat.

Ai ka vlerësuar se vendimi i presidentes për shpërbërjen e legjislaturës ka qenë i duhuri, pasi “kjo legjislaturë nuk ka pasur kurrfarë vlere”. Dugolli theksoi se qytetarët janë të zhgënjyer nga gjendja politike dhe se abstenimi në zgjedhjet e 28 dhjetorit nuk sjell zgjidhje për ngërçin aktual.

Ai bëri thirrje për pjesëmarrje dhe për krijimin e një klime bashkëpunimi, duke theksuar se demokracia kërkon vullnet të shumicës dhe kompromis.

Kurse analisti Ermal Sadiku i pyetur nëse do të ketë përgjegjësi për këta nëntë muajt e fundit, analisti tha se nuk beson që do të ndodhë.

“Është e vështirë të gjendet politikan që merr përgjegjësi të tilla, por në momentin kur dolën rezultatet e shkurtit, nuk ishte nevoja të jesh shumë inteligjent për të kuptuar se do të kishte një betonizim të madh, sepse ai kishte nisur edhe para 9 shkurtit”, tha ai.

“Fushata po e nis LVV si partia më e madhe, me agresivitetin dhe polarizimin që kanë tentuar për një fitore superiore, dhe kanë ndërtuar narrativin ‘ne kundër këtyre’”, shtoi ai.

Partitë e tjera kanë pasur një problem tjetër: nuk kishin kohezion. “Prej jashtë i kemi thënë që mund të bashkohen, por opozita e bashkuar ka vështirësi, sepse secili politikan fillon të pikturojë veten si kryeministër i ardhshëm. Është normale që të ketë frikë; kjo frikë për 6-7 muaj mund të ndikojë në rezultatet e zgjedhjeve”, tha Sadiku.

Ai shtoi se asnjë parti nuk kishte guximin të hynte në Qeveri me njëra-tjetrën, dhe për këtë arsye ndodhi ky betonizim.

“Partisë lidere i takon përgjegjësia më e madhe. Tash në fushatë duhet të bëhen thirrje për një gjuhë më të qetë, ose së paku strukturat e partisë mund ta realizojnë këtë. Deri tani kemi parë vetëm sipërfaqësisht ndonjë fjalë më të butë, por në rrjetet sociale, internet dhe televizion vazhdon një gjuhë e rëndë, ofenduese dhe ndarëse”.

Ndërsa analisti Dorajet Imeri tha se përpjekjet për krijimin e koalicionit nuk kanë qenë shumë të sinqerta, as me LDK-në dhe as me të tjerët. “Jo sepse ndoshta LDK do të thoshte ‘po’, por për shkak të natyrës së problematikës që kanë pasur gjatë këtij viti. Votat nuk mjaftonin vetëm me LDK-në duhej përfshirë edhe Nisma Social Demokrate ose së paku tre deputetë të tjerë për të arritur 80 vota për çështjen e presidentit”.

“Skema jonë politike është e ndërtuar mbi profile të fuqishme të liderëve politik. Të tjerët kur janë në detyrë marrin pjesë vetëm për të legjitimuar zgjedhjet”, tha ai.


MË SHUME NGA Lajme