Gueye kërkon falje pas përjashtimit për shuplakë ndaj Keane
Sh.Ç|RTKlive
Idrissa Gueye ka kërkuar falje pasi u përjashtua me karton të kuq për goditjen me shuplakë të bashkëlojtarit Michael Keane gjatë fitores 1:0 të Evertonit ndaj Manchester Unitedit, të hënën mbrëma.
Incidenti ndodhi në minutën e 13-të, pas një keqkuptimi mes lojtarëve të Evertonit që i dha mundësi Manchester Unitedit të rrezikonte portën.
Gueye iu afrua mbrojtësit Keane dhe, ndërsa diskutonin dhe shtyheshin, e goditi me shuplakë. Arbitri e përjashtoi menjëherë, ndërsa portieri Jordan Pickford ndërhyri për ta ndarë mesfushorin.
36-vjeçari, i cili ka luajtur më parë për PSG-në, kërkoi falje në zhveshtore dhe më pas edhe përmes rrjeteve sociale, duke marrë përgjegjësinë për incidentin. Ai shkroi:
“Së pari dua t’i kërkoj falje bashkëlojtarit tim Michael Keane. E marr përgjegjësinë e plotë për veprimin. U kërkoj falje edhe bashkëlojtarëve, stafit, tifozëve dhe klubit. Ajo që ndodhi nuk reflekton atë që jam dhe vlerat që ndjek. Emocionet mund të jenë të mëdha, por asgjë nuk justifikon një veprim të tillë. Do të sigurohem që kjo të mos ndodhë më”, ka theksuar ai.
Ikonat e Premier Leagues, Gary Neville dhe Jamie Carragher nuk janë pajtuar me kartonin e kuq, duke e vlerësuar ndëshkimin si shumë të rëndë. Ndonëse Evertoni për kohë të gjatë ishte me një lojtar më pak, arriti fitore të vlefshme në “Old Trafford”.























