Deri tash dy koalicione regjistrohen në KQZ, nesër mbyllet afati
V.S|RTKlive
Vetëm edhe nesër kanë afat partitë politike për të deklaruar pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve koalicionet për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit. Ndërkohë, deri tash pranë këtij institucioni janë deklaruar dy koalicione parazgjedhore.
Pas koalicionit që kishin arritur tri partitë PAI – PDAK – LPB”, tashmë në KQZ është regjistruar edhe koalicioni i dytë, VAKAT, i përbërë nga 3 parti politike.
Këtë e ka bërë të ditur për RTKlive, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi. “Është duke vazhduar afati për partitë politike të regjistruara për të njoftuar KQZ-në se në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025 do të marrin pjesë përmes koalicionit. Kjo periudhë, e cila ka filluar më 24 nëntor, do të përfundojë më 30 nëntor 2025. Deri më tani (e shtunë, 29 nëntor 2025, ora 13:00), KQZ, respektivisht Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike është njoftuar për formimin e dy koalicioneve për pjesëmarrje në zgjedhje, si në vijim: - “PAI – PDAK – LPB”, i përbërë nga 3 parti politike: Partia e Ashkalinjëve për Integrim (PAI), Partia Demokratike e Ashkanlive të Kosovës (PDAK) dhe Lëvizja për Bashkëveprim (LPB)”; dhe - Koalicioni VAKAT, i përbërë nga 3 parti politike: Demokratska Stranka Bošnjaka (DSB), Bošnjačka Stranka Kosova (BSK) dhe Demokratska Stranka Vatan (DSV)”, njoftoi ai.
Siç dihet, koalicioni mund të ndërtohet nga së paku dy parti politike. Ndërkohë sipas rregullave të përcaktuara, partia politike nuk mund të tërhiqet nga koalicioni pasi të jetë certifikuar, derisa rezultati i zgjedhjeve të certifikohet nga ana e KQZ-së.
Gjithashtu partia politike e cila është anëtare e koalicionit nuk mund të marrë pjesë si anëtare në një koalicion tjetër apo edhe si parti e veçantë në të njëjtat zgjedhje.























