Hargreaves: Moscertifikimi i Listës Serbe kërcënon reputacionin e Kosovës
RTKlive
Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka shprehur shqetësimin e tij pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos certifikuar Listën Serbe për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 28 dhjetor.
Në një postim në Facebook, ai ka theksuar se veprime të tilla kërcënojnë të dëmtojnë reputacionin e Kosovës si një demokraci shumëetnike.
"Unë jam seriozisht i shqetësuar për përpjekjen e fundit të aktorëve politikë për të penguar Listën Serbe të marrë pjesë në proceset zgjedhore. Veprime të tilla kërcënojnë të dëmtojnë reputacionin e Kosovës si një demokraci shumëetnike, të fituar me shumë mund, dhe marrëdhëniet me partnerët e saj të ngushtë", ka shkruar Hargreaves.
Ai gjithashtu ka potencuar rëndësinë e vlerësimit të aplikimeve zgjedhore sipas rregullave dhe ligjeve në fuqi.
"Shpresoj që Paneli për Ankesa dhe Parashtresa Zgjedhore të vlerësojë përsëri aplikimin e Listës Serbe për certifikim në përputhje me ligjet dhe rregulloret e Kosovës", ka shkruar ambasadori britanik.























