Konfiskohen mbi 250 kilogramë duhan në Prishtinë
V.S|RTKlive
Njësitet Antikontrabandë të Doganës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës pas një aksioni në një objekt pranë tregut të gjelbër në Prishtinë kanë konfiskuar mbi 250 kilogramë duhan.
“Gjatë kontrollit është gjetur mall pa dokumentacion të origjinës dhe, mbi dyshimin e bazuar për kontrabandë, është konfiskuar si më poshtë: - Duhan i grirë (refuz) - 511 pako x 500 gr = 255.5 kg pa banderola. Mjaltë - 100 pako x 12 copë = 1,200 kg pa asnjë mbishkrim. Filtera cigaresh - 21 pako x 10,000 copë = 210,000 copë”, ka bërë të ditur Dogana e Kosovës në njoftimin për media për këtë aksion.
Kanë bërë të ditur se malli është ndalur përkohësisht dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë është njoftuar për gjetjet, për të udhëzuar hapat e mëtejshëm proceduralë.
“Dogana e Kosovës dhe Policia e Kosovës mbeten të angazhuara fuqishëm në luftimin e kontrabandës dhe në mbrojtjen e integritetit të tregut. Institucionet ftojnë qytetarët të bashkëpunojnë dhe të raportojnë çdo rast të dyshuar për mallra të kontrabanduara”, thotë Dogana e Kosovës.























